Policia zbulon se Pëllumb Metën e vrau i biri dhe e bija! Po pse e mori përsipër vrasjen vetëm vajza?! Pyetje retorike
Policia e Durrësit ka zbuluar se Pëllumb Meta i cili ishte denoncuar i zhdukur 10 ditë më parë, ishte vrarë dhe groposur nga fëmijët e tij.
Sipas policisë djali i madh Hyseni, 25 vjeç dhe vajza e vogël, Hygerta, 19 vjeçe janë bashkëautorë në vrasjen e të atit ndërsa djali tjetër Amarildo, 21 vjeç, ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. E ëma Blerina akuzohet se fshehu krimin.
Pse dha dëshmi të rreme e bija? Kush e detyroi të marrë përsipër krimin?
Pa dashur të akuzojmë e drejtojmë gishtin nga askush, por hijet e dyshimit për përdorim të një vajze vetëm pse është vajzë, janë të forta në këtë skenar tronditës nga shumë drejtime.
Lajmi mund të ketë të reja.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit, Skënder Hita doli sot pasdite në një konferencë për median ku zbardhi gjithë dinamikën e ngjarjes.
“Nga intensiteti i veprimeve hetimore u arrit të konkludohej më 22 shkurt se nuk kishim të bënim me zhdukje por krimin e rëndë të vrasjes në familje. Të dy fëmijët e viktimës, Hysen Meta, 25 vjeç dhe vajza H.M, 19 vjeçe, kanë qenë bashkëautorë në këtë krim të rëndë. Ndërsa djali tjetër Amarildo Meta me veprimet e tij aktive ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. Hetohet në gjëndje të lirë, Blerina Meta, 49 vjeçe nëna e tre fëmijëve pasi ka kryer veprime që pengojnë të vërtetën”, tha Hita.