Aktualitet

Prokuroria konkretizon akuzën ndaj efektivit që vrau Klodian Rashën, babai i të ndjerit: Shteti do bëjë atë që duhet, do të dalë e vërteta

Prokuroria konkretizon akuzën ndaj efektivit që vrau Klodian

Prokuroria e Tiranës ka konkretizuar akuzën penale për Nevaldo Hajdaraj, efektivin e Forcave Shqiponja, që qëlloi për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha.

Sipas Prokurorisë, akuza që rëndon ndaj efektivit është “Vrasje me dashje” në dëm të viktimës Klodian Rasha.

Babai i 25-vjeçarit, Qazim Rasha, ka folur për “News24” për ndryshimin e akuzës ndaj efektivit të Forcave Shqiponja.

Ai është shprehur se kërkon drejtësi nga shteti, pasi sipas tij, drejtësia shëron plagët dhe zemrën. Sipas tij, vrasja e djalit të tij nga polici është një ngjarje që ndodh njëherë në shekull.

“Jemi bij të këtij shteti, kërkojmë drejtësi prej tij. Drejtësia shëron plagët, ajo shëron zemrat. Përveç shtetit, kush mund të bëjë drejtësi? Kur shteti kërkon të nxjerrë të vërtetën, ka një lehtësim. Kërkova drejtësi që ditën e parë e vijoj ta kërkoj. Kam besim të plotë që çdokush e ndjen dhimbjen time. S’ka fije dyshimi që gjërat do të shkojnë atje ku duhet. Raste të tilla ndodhin njëherë në shekull. Unë nuk e kisha menduar kurrë se do më ndodhte. Kurrë mos ndodhtë ajo që më ndodhi mua”, ka thënë Qazim Rasha.