Pse ishte vetëm efektivi i Shqiponjës dhe a ka pasur kamera që kanë regjistruar ngjarjen

Emisionet e mbrëmjes sot janë përqendruar tek protesta e shkaktuar pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian rasha nga efektivi i Shqiponjës. Dy pyetje që duhen bërë në këtë moment janë: pse ishte vetëm dhe pse nuk ishte e ndezur kamera.
Gazetarja Klodiana Lala tha sot në emisionin “Real Story”, në bazë informacioneve të marra për hetimet lidhur me ngjarjen: “Nuk duhet të qëndrojnë të vetëm skuadra ‘Shqiponja’, që mos të bëhen shkak për veprime të tilla. Të ketë një efektiv më të moshuar dhe një më të ri që qëndrojnë bashkë. Ai kishte vetëm 2 vjet që ishte tek Shqiponja. S’di çfarë dinamike kanë ndjekur ata që nuk ishin bashkë, pasi është ende e paqartë. Nuk thuhet askund që kamerat e trupit ishin të ndezura, pavarësisht se ai e kishte”.
I ftuar edhe avokati Saimir Visha u shpreh lidhur me situatën në të cilën ndodhet sipas tij policia shqiptare:

“Kemi policë të forcave Shqiponja që s’kanë bërë ushtrinë, s’janë të pjekur akoma, janë aventurierë, janë 21, 22 vjeç, që mund të kenë shkuar pa aftësi profesionale, por me aftësi rinore, por policia nuk është përdorim i armëve. Nuk është forcë e armatosur. E shoh punonjësin e policisë jo ushtarak. Jam ndjerë i fyer dhe si avokat mbrojtës, sot më është kthyer 21 Janari sepse dikush thyen orën policore dhe goditet, si atëherë ku u goditën protestues, nuk e njoh dosjen, por nuk ka mbrojtje te nevojshme kur godet mbrapa shpine. Gjithmonë e kam kritikuar frymën e ministrit Lleshaj, që ka futur frymë ushtarake. Por tjetër kulturë ka një punonjës police. Kjo është përgjegjësia e gjithë shoqërisë”.
Nëse do të kishte imazhe apo dëshmitarë, që tregojnë çfarë ka ndodhur në të vërtetë do të ishte më e lehtë zbardhja e situatës së mesnatës së 8 dhjetorit, sepse deri më tani versionet kanë qenë disi kontradiktore, nuk e kemi ende të qartë se çfarë ka ndodhur me këtë histori. Hetimet kanë nisur por ndërkaq njerëzit janë të përfshirë emocionalisht, që të kujton edhe rastin e George Floyd në Amerikë.