Pse u vendos që të mbyllen për një muaj universitetet dhe mesazhi i Mira Rakacollit për studentët që jetojnë në rrethe

Ndërsa sot u njoftua se universitetet dhe konviktet do të mbyllen për një muaj, zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, sqaroi arsyet e këtij vendimi. Ajo u shpreh se ky vendim lidhet me faktin që jeta në universitete është shumë dinamike, pasi në Tiranë, Durrës apo Elbasan mblidhen studentë nga e gjithë Shqipëria, duke bërë një përzierje të nivelit epidemiologjik.
Ndërkohë Rakacolli tha se afati 1 muaj nuk është përfundimtar, ndërkohë që sugjeron që studentët që banojnë në rrethe të mos vijnë në Tiranë.
“Janë zgjedhur universitetet sepse jeta e studentëve është shumë dinamike. Ka përzierje. Vijnë në Tiranë njerëz nga të gjitha rrethet që shkojnë sërish nëpër shtëpitë e tyre. Shtohet jeta nëpër konvikte, shtohet jeta në klasa. Janë njerëz që vijnë nga qytete të ndryshme. Për shembull Tirana dhe Durrësi kanë më shumë raste se Peshkopia, dhe kështu shtohet përzierja e vendeve që kanë nivel më të lartë epidemiologjik me ato vende që kanë nivel më të ulët, se këta studentë shkojnë e lëviznin nëpër shtëpi në qytetet e tyre. Ka shumë persona që mblidhen nëpër konvikte. Nuk e dimë se sa kohë do të vazhdojë kjo. Asnjëherë nuk duhet të pyesim për afate. Sepse nuk dihet se si do zhvillohet pandemia. Nëse gjërat shkojmë mirë, hapemi, nëse shkojnë keq mbyllemi. Mësimin online nëpër universitete kemi propozuar që të bëhet për 1 muaj si fillim”, tha Rakacolli në emisionin 'Repolitix'.
Komiteti i Ekspertëve paralajmëroi sot se mund të mbyllen edhe lokalet në zonën e Bllokut, pas orës 22:00.