Rritja e çmimeve, Rama: Më thoni ndërprit investimet, po punëtorët t'i lëmë pa punë?

Kryeministri Edi Rama në komunikimin live ku foli për rritjen e çmimit të naftës tha se ndërprerja e investime dhe heqja e taksave nuk është zgjidhje për uljen e çmimeve pasi i bie që të mos paguhen rrogat dhe shumë punëtorë të mbeten të papunë.
"Në vendet fqinje është rritur energjia, por ne kemi vendosur të mos e rrisim energjinë. 80 % të energjisë e subvencionon shteti, janë me miliona, nga dalin këto? Disa thonë ndërprit investime, po gjithë punëtorët që do të jenë në shtëpi pa punë, pastaj ku do shkojmë? Disa thonë hiq taksat, po pastaj me ca do i paguajmë rrogat, shkollat spitalet? Ne kemi taksat më të ulëta në rajon për individët dhe për biznesin e vogël, më të ulëtat. Zero taksë për biznesin e vogël dhe zero TVSH deri në 100 milionë. xhiro dhe zero taksë deri në 140 milionë xhiro, nuk e ka askush në rajon që do të thotë që të gjitha këto të ardhura, që i kemi lënë në xhepin e sipërmarrësve të vegjël, ashtu sikundër të ardhurat që i kemi lënë në xhepin e individëve duke ulur më shumë se kudo tjetër në rajon taksat mbi pagën, gjë që do do vazhdojë edhe me uljen, me zerimin e taksës për pagën deri në 400 mijë lekë dhe me përgjysmimin e taksës për pagën mbi 500 mijë lekë, duan të thonë që janë diku të ardhurat për të financuar të tjera gjëra, për të financuar paga, rritje pagash që do bëjmë në vijim, siç jemi zotuar e me radhë, nga diku do vijnë apo jo? ", tha Rama.
‘Ju thashë ecni në këmbë jo se dua unë por për të kursyer, pasi jemi në luftë, do vijë momenti që nuk do ketë energji as naftë edhe po të duam ne ta blejmë. Duhet të përgatitemi për të gjitha se lufta nuk vjen për të mira por për të sjellë dhimbje. Kjo që ndodh sot është pasojë e asaj lufte’, u shjpreh Rama.
Ndërkohë kreu i qeverisë i ka dhënë përgjigje edhe interesit të qytetarëve për vizitën e tij në Dubai.
‘Në Dubai është hera e parë që kam shkuar. Shkoj në Dubai për të nderuar flamurin e Shqipërisë dhe himnin tonë që u ngrit për hir të EXPO 2020, kam shkuar si të gjithë kryetarët e qeverive të tjerë. Në Abu Dabi shkova pikërisht se kam mik princin e kurorës’, tha Rama.