Reagon ministri Lleshaj për vrasjen e 25 vjeçarit: Ka shumë arsye pse ndjej fort ç'do të thotë humbja e tij për prindërit

Ka reaguar për herë të parë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha, në orët pas mesnate të 8 dhjetorit, i cili u qëllua në ndjekje e sipër nga një punonjës i policisë i moshës së tij. Lleshaj thotë se ka shumë arsye pse e ndjen fort se çfarë do të thotë humbja e djalit për prindërit e familjarët. Ministri shton se organet ligjore do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës. Ai u bën thirrje autoriteteve të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.

Reagimi i plotë i Sandër Lleshaj:
E VËRTETA ËSHTË NGUSHËLLIMI MË I MADH
Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike.
Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.
Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët.
Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:45 minuta pas mesnatës së 8 dhjetorit në zonën e Laprakës, në rrugën Dritan Hoxha. Sipas policit që ka qëlluar, Klodiani kishte bërë lëvizje të dyshimta dhe i ka kërkuar të ndalonte. Ai ndodhej jashtë orarit të vendosur nga pandemia dhe pa maskë. I riu sipas tij është kundërpërgjigjur me sende të forta dhe është larguar: Mu duk sikur më kërcënoi me armë në largim e sipër, ka thënë polici në dëshminë e tij. Ai është arrestuar ndërsa çështja po hetohet. Ndërsa babai i Klodianit ka treguar se djali i tij kishte dalë për të blerë paketë dhe ishte larguar pasi nuk donte të gjobitej: Më vranë djalin në derë të shtëpisë!
*Tiranapost.al.