Aktualitet

Rifillojnë seancat për gjykimin e Saimir Tahirit

Rifillojnë seancat për gjykimin e Saimir Tahirit

Seanca e parë gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin do të rifillojë në orën 9:00 të datës 20 dhjetor.

Dosja e ish-ministrit ndodhet në dorën e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, por para rifillimit të seancave pritet të delegohet anëtari i tretë i trupës gjykuese nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas dorëheqjes së gjyqtares Ilirjana Olldashit.

Njoftimi i plotë:
"Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, për çështjen në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar, është planifikuar seanca gjyqësore në datë 20.12.2021, ora 09:00. Fillimisht nga shorti ka rezultuar se çështjen do ta kryesonte gjyqtarja Miliana Muça dhe anëtare gjyqtaret Daniela Shirka dhe Ilirjana Olldashi.

Duke qenë se gjyqtarja Miliana Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështja, heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës, çështja u rishqyrtua, duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga kryesuese Daniela Shirka, anëtare Ilirjana Olldashi.

Me vendimin nr. 565, datë 02.12.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në përbërje të trupit gjykues u caktua anëtari tjetër, gjyqtari Engert Pëllumbi. Gjithashtu, gjyqtarja Ilirjana Olldashi paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështja, heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës. Në këto kushte, anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor."