Rregull i ri për hyrjen në BE! Preken edhe qytetarët shqiptarë

Duke nisur nga 12 tetori 2025, Bashkimi Evropian do të zbatojë një sistem të ri hyrje-dalje për qytetarët e vendeve që nuk janë pjesë e BE-së, përfshirë Shqipërinë.
Ky sistem, i quajtur EES (Entry/Exit System), synon të forcojë sigurinë kufitare dhe të monitorojë kohëzgjatjen e qëndrimit të udhëtarëve në zonën Shengen.
Si funksionin sistemi i ri?
Ai do të jetë një sistem regjistrimi për udhëtarët e Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe vendeve të tjera jo anëtare të BE-së, siç është edhe Shqipëria. Udhëtarët do të duhet të skanojnë pasaportat ose dokumentet e tjera të udhëtimit në një qendër vetëshërbimi sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Nuk do të zbatohet për qytetarët ose banorët e ligjshëm të BE-së ose ata me viza afatgjata.
Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike, si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimet e fytyrës dhe të dhënat e gjurmëve të gishtërinjve të marra gjatë regjistrimit të parë ruhen në bazën e të dhënave EES për tre vjet.
Gjatë kësaj periudhe, udhëtarët do të duhet të japin vetëm një gjurmë gishti ose një foto në kufi kur hyjnë dhe dalin, të cilat do të krahasohen me të dhënat e ruajtura.
Këto rregulla do të prekin edhe shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët aktualisht gëzojnë regjim pa viza për hyrje të shkurtër në zonën Shengen.
Sistemi i ri do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave dhe do të lejojë autoritetet kufitare të kontrollojnë automatikisht kohëzgjatjen e qëndrimit të lejuar për turistët dhe udhëtarët e biznesit.
Sistemi do të nisë së zbatuari gradualisht për gjashtë muaj dhe pritet të hyjë në funksionim të plotë në janar të vitit 2026.