Serbët në veri të Kosovës sulm edhe ndaj patrullës së EULEX
EULEX tha sot se ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare është hedhur një bombë, nga e cila fatmirësisht nuk ka lëndime në njerëz e as dëme materiale.
EULEX në komunikatën dërguar mediave thekson se ky sulm dhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.
Njoftimi i plotë i EULEX-it:
Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.
EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet.
Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka dënuar sulmin duke theksuar se akte të tilla ndaj personelit të sigurisë ndërkombëtare dhe Policisë së Kosovës janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të ndëshkohen.
“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Twitter.