Shpallen të pavlefshme zgjedhjet në 3 qendra votimi në Shkodër. Në 5 orë nuk pati asnjë votues

Procesi i votimit në dy fshatra të Shkodrës është anuluar. Ky vendim u mor pasi në fshatin Shosh dhe në fshatin Bruçaj të njësisë administrative Pult nuk ka shkuar asnjë votues prej 5 orësh. Moti i keq dhe temperaturat e ulta bënë që në këto dy fshatra banorët të mos dalin të votojnë.
Për rrjedhojë sipas ligjit procesi i votimit anulohet dhe pas një procesverbali të mbajtur nga kryetari dhe anëtarët, qendrat e votimit janë mbyllur. Procesverbali dhe materialet zgjedhore të kësaj KZAZ-je do të dërgohen në Shkodër për administrim.

Më herët, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka deklaruar se në ato zona ku nuk paraqitej asnjë votues prej 5 orësh, atëherë procesi zgjedhor do të anulohej. Dhe në fakt ashtu ka ndodhur. Deri tani nuk ka raportime për zona të tjera të cilat mund të kenë këtë fat.