Aktualitet

Çfarë po zien në radhët e PD në kërkim të një lideri të ri

Çfarë po zien në radhët e PD në kërkim të

Dorëheqja e Enkelejd Alibeajt nga posti i kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike pas largimit të Lulzim Bashës ka sjellë reagime sidomos në radhët e demokratëve.

I pari që ka reaguar ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i cili ka shpjeguar se tashmë pas largimit të Alieajt, vendin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të PD pritet ta marrë Jorida Tabaku.

“Kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore. Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”, shkroi Bardhi.

Reagime kishte edhe nga Rithemelimi.

“Tani që Enkelejdi dha “dorëheqjen”, i bëj një thirrje publike Jorida Tabakut, Gazment Bardhit dhe disa deputetëve të tjerë, silleni vulën në seli. Misioni mbaroi! Të paktën ta fillojmë ringritjen me vulën dhe logon e qindra mijëra demokratëve që sot janë të dëshpëruar!” shkruan Harxhi.

Edhe gazetarë e analistë kanë reaguar duke e inerpretuar në mënra të ndryshme.

“E respektoj aktin e tij, shoh se ka lënë karrigen por jo arenën e përpjekjeve për një PD Euroatlantike e kombëtare që mbijetoi nën drejtimin e tij, me një mbështetje të konsiderueshme që e lejon të ringrihet. Ato dhjetëra mijëra vota që u hodhën për PD-në janë vota të pastra për një bindje të brendshme që është orientimi perëndimor i Partisë Demokratike”, deklaroi publicisti Preç Zogaj.

“Shoh një manovër që PD të zhytet në krizë që është lidershpi. Ky vjen bën një deklaratë, si Çarçani dhe ikën. Ajo që më frikëson mua është që në këtë moment që iku, se për mua nuk është dorëheqje, të jepte një datë për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kjo parti duhet të bëjë sot një zgjedhje,” tha analisti Genc Burimi.

“Akti i Alibeajt duhet përshëndetur si një hap pozitiv që tregon se PD mund të jetë një parti ku liderët mbajnë përgjegjësi për vendimet dhe dështimet e tyre. Por e njëjta përgjegjësi duhet të mbahet edhe nga pjesa tjetër e lidershipit të partisë,” tha Jonila Godole.