Nuk do ketë lëkundje në vendin tonë! Sizmologu Llambro Duni sqaron pse tërmeti në Turqi nuk ka lidhje me Shqipërinë

Lëkundjet e fuqishme që tronditën sot Turqinë dhe Greqinë, nuk rrezikojnë të prekin Shqipërinë. Është sizmologu Llambro Duni sqaroi arsyen pse lëkundjet në Egje nuk mund të nxisin lëkundje edhe në Shqipëri.
“Jo! Kjo është një njësi tektonike e veçuar, pllaka e Egjeut vepron më vete dhe nuk ka lidhje me pjesën tjetër të Adriatikut ku është pozicionuar dhe vendi ynë, dhe padyshim nuk ka të bëjë me të”, tha Duni në një intervistë për ‘Euronews Albania’.

Sizmologu Duni u shpreh se në dy zonat e prekura, në Samos dhe Izmit, do të ketë pasgoditje më të vogla krahasuar me lëkundjen me magnitudën 7 ballë të shkallës Rihter.
“Tërmeti ka rënë në zonën e Egjeut, që njihet si strukturë tektonike, e cila është e rrethuar nga epiqendra tërmetesh të forta. Edhe Instituti ynë e ka regjistruar dhe ka bërë vlerësimet e veta. Ishte tërmet shumë i fortë dhe për shkak të thellësisë relativisht të vogël [të epiqendrës] efekti në sipërfaqe i kësaj ngjarjeje është shumë i madh dhe raportimet e para flasin për diçka të tillë për energji shumë të madhe të çliruar. Për sa i përket cunamit, në Mesdhe ka pasur raste dhe ka mundësi për cunami, por personalisht mendoj se nuk do të ketë në këtë rast sepse lëkundjet kanë ndodhur pranë kontinentit, ndaj mendoj se thjesht do të ketë dallgë jo të konsiderueshme”, tha ai

Deri më tani raportohet për 6 viktima në Izmir dhe mbi 200 të plagosur.