Aktualitet

Të dielën rikthehet futbolli, Rama: Gati të flasim për të zgjidhur hallet, uroj që naftëtarët të marrin shembull

Të dielën rikthehet futbolli, Rama: Gati të flasim për

Pas mbledhjes së sotme në stadiumin “Air Albania, presidenti i FSHF-së, Armand Duka deklaroi se Liga ka vendosur që futbolli të kthehet ditën e diel me ndeshjet e Kupës dhe në mesjavë të rikthehet Kategoria Superiore duke i dhënë kështu fund bojkotit disamujor.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili përshëndet vendimin dhe tregon gatishmëri për të diskutuar me Federatën Shqiptare të Futbollit për të zgjidhur situatën.

Ai e mbyll mesazhin e tij duke uruar që naftëtarët të marrin shembull prej tyre.

“E përshëndes fundin e bojkotit absurd të Ligës Profesioniste të Futbollit dhe rifillimin e kampionatit të dielën!Tani po,gati të flasim me Federatën Shqiptare të Futbollit për të zgjidhur me mirëbesim e mirëkuptim hallet e Ligës!Uroj që naftëtarët të marrin shembull.Unë jam gati”, shkruan Rama.

Ndërkohë më herët kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tha në një deklaratë për mediat se ky vendim ishte marrë në të mirë të futbollit pasi qëllimi i tyre janë aktivitetet publike.

“Ishte një llojë diskutimi me Ligën dhe vendimi përfundimtar për tifozët që duan të shikojnë futboll dhe lojtarët që duan të luajnë. Kemi vendosur që ditën e diel të zbresin në fushë për Kupën e Shqipërisë e të mërkurën të luhet java e parë e Superligës për t’i dhënë më shumë kohë skuadrave.  Jemi në rrugën e mbarë për të rifilluar. Pikat mbeten dhe janë diskutuar me Presidentin e Ligës, Libohova me ministrinë e Financave dhe ka njëfarë dakortësie. Ky ishte vendimi më i drejtë për futbollin.

Ne kemi një mbështetje nga Ministria e Financave dhe zgjidhja do të jetë në të mirë të futbollit.Ne nuk bëjmë presion vetëm bashkëpunojmë për të mirën e lojës. Qëllimi ynë janë aktivitet publike. Nuk jemi për herë të parë në vështirësi, kemi në rikonstruksion disa ambiente, por do ti tejkalojmë të gjitha. Ne nuk bëjmë kontratë me asnjë, kërkojmë që gjithkush të marrë përgjegjësitë e veta. Ne kemi kërkuar gjëra logjike dhe nuk pranojmë arsye alogjike për të mos i pranuar”, u shpreh Duka.