Unaza e Madhe e Tiranës përfundon e gjitha në 2023-shin, Balluku tregon kur do hapen disa tunele tek ‘Shqiponja’

Segmenti i parë i Unazës së Madhe që përfshin 13.5 km nga Farka tek Rrethrrotullimi i Teg-ut ka përfunduar. Ndërsa aktualisht po punohet në 5 kantierë të Unazës. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku thotë se rruga që lidh Farkën me Shkozën dhe Maternitetin e Ri, që përfshin 5.5 kilometër do të hapet në fund të janarit. Megjithëse në kontratë është përcaktuar për vitin e ardhshëm.
Në intervistën për Klan, Balluku thotë:
“Na është thënë që parashikohet që ta dorëzojnë para përfundimit të Janarit pasi ndodhen në të vërtetë në detajet e fundit. Pra në këto momente kemi punime në trotuare, në mbjellje pemësh. Faktikisht punohet në 5 pika. Kantieret po ecin që të gjitha me ritme shumë në kënaqshme. Ne kemi shumë të kujdesshëm qoftë për periudhën e akomodimit të tyre, përmes bonusit të qirasë, legalizimit të atyre shtëpive, për të pasur mundësi që ata të merrnin shpronësimin”.
Ndërsa sa u takon punimeve në rrethrrotullimin ‘Shqiponja’ ku përfshihet gjithë segmenti 2.3 kilometra i gjatë nga Pallati me Shigjeta po bëhen me 3 turne. Ministrja Balluku thotë se ka përfunduar puna për ndërtimin e 4 tuneleve nëntokësore, ndërsa pas 3 muajve disa tunele do hapen për të lehtësuar qarkullimin e makinave:
“Shumica prej tyre kanë mbaruar, pritet që të nisë ndërtimi i tunelit 5. Për 3 muaj një pjesë e tuneleve do të bëhen të aksesueshme, jo të gjitha, pasi do spostojmë trafikun dhe do të ndryshojmë rrjedhën e trafikut disa herë”.
Sistemi i trafikut kur të hapet nënkalimi do të menaxhohet nga një qendër elektronike, thotë ministrja Balluku. Autoritetet janë në fazën e projektimit të dy segemnteve të fundit që plotësojnë Unazën e Madhe të Tiranës: pjesën nga Rrethrrotullimi “Shqiponja” te Bulevardi i Ri dhe aksin nga Bulevardi i Ri në Shkozë. Në këtë aks parashikohet të ndërtohen vepra arti dhe rrugë dytësore të cilat do të lidhin unazën me zona të tjera të kryeqytetit.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë, e cila do t’i kushtojë në total buxhetit një vlerë prej 373 milionë eurosh. Ndërsa përfundimi i saj i plotë në vitin 2023 do lidhë kryeqytetin me gjithë rrugët dalëse kombëtare.
Ministrja Balluku sqaron:
“Quhet Unaza e Madhe e Tiranës, por ka shumë lidhje me të gjitha rrugët hyrëse të kryeqytetit. Pra të gjithë ata që do të vijnë në të ardhmen nga verilindja e vendit përmes rrugës së Arbrit do të aksesojnë këtë Unazë të Madhe. Pastaj, për të shkuar në çdo pikë të qytetit, e njëjta gjë ndodh autostradën Tiranë-Elbasan, po ashtu me autostradën Tiranë-Durrës”.