Video/ Pala greke rifillon punën. Shtohen makina të tjera me familjarë duke pritur në kufi
Për disa qytetarë mbrëmë ishte nata e katërt që fjetën në makina, duke pritur rifillimin e punës për të kaluar kufirin grek. Autoritetet greke mbyllën kufirin në orën 22 të mbrëmjes për ta hapur sërish sot në orën 6 të mëngjesit, ndonëse puna filloi me vonesë, rreth orës 08:40.
Situata edhe mëngjesin e sotëm është kaotike, ka qytetarë të irrituar të cilët thonë se nëse vijojnë të presin në radhë, përveç problematikave të tjera edhe shëndetësore në mungesë ushqimi dhe uji dhe nën temperaturat e larta rrezikojnë vendin e punës në Greqi.
Sipas burimeve, pala shqiptare është duke punuar me 5 ndërsa pala greke me 3 sportele. Në 24 orët e fundit, në Kapshticë kanë hyrë 1356 dhe kanë dalë 4518 shtetas të huaj dhe shqiptarë.
Radha e gjatë prej ditësh është krijuar edhe nga fakti se pas 16 gushtit do të hynin në fuqi rregullat e reja kufizuese të kalimit jo më shumë se 300 persona në ditë nga pika kufitare e Kapshticës dhe 400 në pikën kufitare të Kakavijë.
Ndërkaq, mjekët grekë marrin tamponët për koronavirusin të të gjithë qytetarëve shqiptarë që kalojnë kufirin. Mesohet se edhe qytetarë të shumtë grekë që erdhën në Shqipëri janë bllukuar në radhën kilometrike.