Vuçiç: Do të kërkojmë dislokimin e ushtrisë në territorin e Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Veriun e Kosovës.
Vuçiç pretendon se sipas Rezolutës 1244, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.
Misioni i KFOR-it nuk ka bërë ende asnjë reagim.
“Sigurisht që nuk kam iluzione dhe e di që do ta refuzojnë këtë kërkesë”. Kështu që po jua them paraprakisht. Por është mirë që një ditë nuk do të mund të thonë se nuk kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë Qeveri nuk guxoi të kërkonte. Ata (KFOR) do të gjejnë arsye të panumërta për të cilat do të na informojnë se nuk është e nevojshme dhe se janë plotësisht në kontroll (të situatës), megjithëse nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Ne do të kërkojmë mënyrat e reja ligjore…. Lufta jonë formale-juridike ende nuk ka filluar”, ka thënë mes tjerash Vuçiç.
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i ankeksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Burimi REL