Art dhe Kulturë

Fansat acarohen: “Hostel by Anabel” 3 duket shumë fals! Anabel replikon: Argëtimi ka rëndësi!

Fansat acarohen: “Hostel by Anabel” 3 duket shumë fals! Anabel

Një ndër prodhimet më të bujshme të 10 viteve të fundit për rininë, “Hostel by Anabel” nisi sezonin e tij të tretë online me një format të ri të quajtur “Si n’jetë” që siç shpjegohet nga stafi prodhues, është një serial i bazuar në formatin amerikan “reality”. Por mesa duket ky format ka zhgënjyer shumë fansa besnikë të cilët në Youtube kanë arsyetuar se nuk u pëlqen që vajzat debatojnë me njëra-tjetrën dhe se sjellja e tyre s’është aspak reale.

Fansat acarohen: “Hostel by Anabel” 3 duket shumë fals! Anabel

“Si n’jetë” ndjek jetët e 5 protagonisteve të “Hostel by Anabel”, Megi, Dea Mishel, Viola, Ana dhe Alberta, gjatë punës dhe jetës së përditshme. Në episodin e parë, krijuesja e “Hostel by Anabel” Dalina Buzi njofton vajzat se do të tërhiqet për disa kohë për t’iu përkushtuar të shkruarit të sezonit të 2-të të “Love Likes Tirana” dhe pjesa tjetër e “Hostel by Anabel” do të dokumentojë jetën e pesë vajzave në një shtëpi e cila do të aredohet nga Dea Mishel (e diplomuar për arkitekturë) dhe punën për realizimin e “Hostel” nën drejtimin e Megi Pojanit.

Fansat acarohen: “Hostel by Anabel” 3 duket shumë fals! Anabel

Që në episodin e parë mes vajzave lindin konflikte për menaxhimin dhe menjëherë dalin në pah ndryshime karakteriale, të cilat përshkallëzohen në episodin e dytë gjatë një darke për festat e fundvitit, kur Megi sajon një lojë të njohur ndërkombëtare “Santa Sekrete” me dhurata “me spec” që vajzat përzgjodhën për njëra-tjetrën. Ishte kjo darkë ajo që ngjalli më shumë pakënaqësi tek shumë shikues, të cilët u ndjenë të zhgënjyer nga ato çfarë vajzat thanë për njëra-tjetrën dhe nga debatet në tavolinë. Por sa reality është ky edicion?

Tiranapost.al kontaktoi me menaxheren e produksionit Amela Çaci për të kuptuar më shumë rreth këtij formati.

Mendon se fansat kanë të drejtë të zhgënjehen?

“Hostel by Anabel” është një format inovativ dhe asgjë e re nuk do të pritet me 100% entuziazëm.

Kur nisi sezoni i parë, shumë thoshin “Ç’janë këto 5 të përkëdhelura që flasin e sillen sikur janë rritur në Amerikë e jo në Shqipëri? Por pastaj qeshën, u lidhën me personazhet dhe u “varën” pas serive.

Fansat acarohen: “Hostel by Anabel” 3 duket shumë fals! Anabel

Në sezonin e dytë kur nisëm mini-serialin “#Love #Likes #Tirana”, shumë na shkruanin në fillim “Skeçet ishin më të bukura. Gjynah që nuk janë më”, por pastaj u dashuruan me mini-serialin. Këtë sezon është e njëjta gjë. Ka shumë që e kanë pëlqyer dhe shifrat e livestream e tregojnë vetë, ku të paktën 80,000 e shohin në total dhe kurba e audiencës mesatare nuk ulet në asnjë moment. Të tjerë duan pak kohë të mësohen.

Ju thoni që ky format është reality. Sa reality është në të vërtetë?

Atëherë, si fillim duhet të sqarojmë diçka që në fakt, nuk ka përse, sepse është teknikë e punës sonë si producentë, siç mjeku ka teknikat e tij, gazetari të tijat e kështu me radhë.

Janë disa lloje formatesh që ekzistojnë në botë që ndjekin një strukturë të njëjtë. Formati reality është një format ku personazhet janë ata që janë edhe në jetë, bëjnë të njëjtat gjëra që bëjnë edhe në jetë, kanë të njëjtat marrëdhënie familjare dhe shoqërore që kanë edhe në jetë. Pra nuk aktrojnë jetët e tyre, siç p.sh. do të ishte rasti i mini-serialit “#Love#Likes#Tirana”. Por jeta përbëhet nga qindra orë dhe seriali si p.sh. “Si n’jetë” transmetohet vetëm 12 orë gjatë sezonit të tij, ndaj produksioni duhet të zgjedh historitë më pikante.

Pra nuk është ‘reality’?

Është ‘reality’ në kushte televizive. Në realitet ti nuk ke një kamera pas vetes dhe mikrofona të ngjitur në lëkurë. Në realitet, sidomos tani në karantinë, po të vendoset një kamera në shtëpinë tonë, në pjesën më të madhe të kohës nuk flet njeri; vetëm rrimë shtrirë e shohim celular, hamë, flemë, ecim me pizhama. Asgjë interesante. Njerëzit kanë të drejtë të shqetësohen, por po të mendojnë qoftë edhe pak, do të kuptojnë që është detyra e televizionit të përzgjedhë, amplifikojë, retushojë për efekt argëtimi. Nuk e kemi shpikur ne televizionin. Në të kundërt pse duhet të ulen në karrige të kuqe rrotulluese anëtarët e jurisë së VOICE, kur mund thjesht të mbyllin sytë? Përse duhet të krijohet një komision përzgjedhës dhe gara javore për personazhet e ‘Big Brother’? A jemi ne në garë në jetët tona të përditshme? Jo! Përse duhet të ulërasë e të hedhë tiganë në tokë Renato Merkolli? Përse duhet që të famshmit që shkojnë tek Ellen të kenë pyetjet dhe lojërat gati, që ato të përgjigjen direkt apo të krijojnë situata humoristike, për të mos humbur minutazh? Përse duhet të funksionojë argëtimi me drita e skenografi e kostumografi në fund të ditës?

Këtë vit, shumë njerëz kanë ngelur të habitur nga fakti që gocat mendojnë keq për njëra-tjetrën dhe që zihen. Mos ndoshta po prishet miti i 5-çes së famshme që e mbështet njëra-tjetrën?

Nuk ka asnjë mit. Kur na ftonin në studio, moderatorët na pyesnin “A bëjnë gocat sherre me njëra-tjetrën se kush është më e famshme e kush jo?” dhe ne u thoshim JO. Sepse kjo është e vërteta. Mes vajzave nuk ka negativitet dhe s’do të ketë kurrë, sepse në të kundërt “Hostel” nuk do të ekzistonte. Të gjitha e dinë pozicionin e tyre, të gjitha në fund të ditës e mbrojnë njëra-tjetrën. Por ato vajza siç mund të dëshmohet qartë edhe në Instagramet e tyre, kanë opinione, janë të drejtpërdrejta dhe padyshim kanë ndryshime nga njëra-tjetra. Nuk janë as motra dhe as shoqe fëmijërie. Janë njohur gjatë punës dhe fatmirësisht ekziston një kimi mes tyre, por absolutisht jetët e tyre janë të ndryshme. Pak memorie e fortë dhe të gjithë mund të kujtojnë debatin në sezonin e parë të “Hostel në Anabel” mes Megit dhe Anës në Karaburun. Ajo është një ndër seritë me shikueshmërinë më të lartë. Pak memorie e fortë dhe shikuesit mund të kujtojnë batuta ironike mes njëra-tjetrës gjatë filmimeve në zyrë; apo gjatë udhëtimeve të ndryshme. Në këtë sezon, ato gjëra të vogla që kalonin shpejt e shpejt, tani amplifikohen, sepse janë më në fokus të kontentit.

Pra kur thotë Megi për Anën se ajo është e shkëputur nga grupi është e vërtetë? Se Ana nuk ka patur në ‘close friends’ Albertën dhe Violën është e vërtetë? Dhe Megi vërtet mendon se është më e mira?

Megi Pojani ashtu flet, por ata që e njohin tashmë. Megi e krijon dramën edhe tek një kuti karamelesh kur me to sajon një telebingo. Megi I hedh helm edhe një gruaje të moshuar kundër të shoqit, por gjithmonë duke u nisur nga dëshira e mirë për të ngritur humorin, për ta bërë sa më argëtues momentin, por jo për të ndërtuar frymë negative. E shprehura e saj është njësoj, por duke qenë se tashmë ka edhe stresin e udhëheqjes, i pëlqen të luajë me këtë gjë dhe t’i largojë përgjegjësitë nga vetja.

Ana është e vërtetë që është pak më e shkëputur, por thjesht sepse ka tërësisht stil tjetër jete. Po është e vërtetë që ajo nuk i ka patur në ‘close friends’ Albertën me Violën, por asnjëherë nuk do ta dimë arsyen e vërtetë se përse. Gjithsesi, s’ka asgjë të tmerrshme këtu. Janë 5 vajza që respektojnë punën, njëra-tjetrën por jo detyrimisht, duhet të duhen 24 orë. Kush duhet 24 orë? Ato janë në karantinë televizive, po ne që jemi në karantinë prej gati një muaji, çfarë mund të themi për sherret idiote që lindin në shtëpi nga një domate apo një karikues mangët?

Do të presim më shumë sherre?

Sherri nuk është motivi i “Si n’jetë”. Patjetër që do të ketë debate pune, por do të ketë edhe momente shumë të ndjera shoqërore, momente fantastike romantike, vajzat do të ndajnë gjëra që s’i kanë ndarë më parë, do të futemi më thellë në jetët e tyre private, do të ndajnë frikëra e pasiguri, do të udhëtojnë dhe natyrisht do të ndajnë një shtëpi të përbashkët!

Këto vajza nuk janë të panjohura as për publikun dhe as për produksionin. Ne jemi një familje dhe në familje pavarësisht ndryshimeve, të gjithë e mbrojmë njëri-tjetrin në fund të ditës. “Si n’jetë” mendoj unë është i gjithi një mesazh fantastik për rininë: Këto janë vajza që punojnë, madje gjatë “Hostel” pjesa më e madhe e tyre është e dypunësuar; disa paguajnë qiratë vetë, kursejnë, duan të krijojnë një jetë me forcat e tyre; vajzat janë dëshmi që mund të jetosh në Tiranë e të bësh atë që do, nëse përkushtohesh. Vajzat do të jetojnë në një shtëpi shumë të bukur, veshin fustane të bukura, lyhen bukur por vetëm sepse këtë e mundëson Anabel Entertainment dhe gjatë gjithë kohës e theksojnë këtë. Nuk ka asnjë “tangëllëk” në këtë serial, përkundrazi ka mesazhe fantastike shoqërie, dashurie, pune ekipi dhe vetë-afirmimi në një epokë ende shumë paragjykuese për vajzat në Shqipëri. Por patjetër që paqe nuk do të ketë gjithmonë. Sepse ju vetë e keni parasysh, që kur fëmija I vogël rri shumë gjatë heshtur në dhomën tjetër, një rrëmujë e madhe po ndodh. Kurse debati, sqaron ndryshime dhe përmirëson!

Po me #Love#Likes #Tirana çfarë do të ndodhë? Përse nuk erdhi këtë sezon?

Këtu po marrë hua fjalët e Dalinës “Ishte thirrje e Zotit!” Dalina ka përfunduar 12 seri gjatë shtatorit dhe tetorit. Janë shumë të bukura. Janë më të gjata, më të plota dhe me personazhe të rinj fantastikë e drama të shkëlqyera. Por njerëzit nuk e dinë që një serial i tillë e ka minimumin e kostos (kosto qesharake për botën) 300,000 euro. Dhe siç e keni vënë re këtë sezon, ka patur rritje të cilësisë së audios dhe figurës, që do të thotë se ne duam të përmirësohemi gjithmonë e më shumë. E njëjta gjë edhe me serialin #LLT. Ai ka dyfishin e kostos të “Si n’jetë” dhe duke qënë se njerëzit nuk paguajnë për seriale siç paguajnë për serialet e huaja në Netflix, HBO, Amazon Prime, atëherë ne varemi vetëm nga sponsorët. Jemi një vend shumë i varfër dhe seriali që të prodhohej duhej të prodhohet tamam me te gjitha kërkesat e tregut ndërkombëtar.

Imagjino ta kishim bërë tani me krizën e Koronavirusit, ku një pjesë e kompanive që kishim në listën e sponsorëve potencialë të #LLT kanë pësuar humbje të thella financiare. Si do t’ja bënim? Do të na mjaftonin like-t dhe përkrahja e popullit, kur s’do kishim të ardhura as për të paguar stafin?! Të prodhosh e vetme kontent mbi 300 orë siç ne kemi bërë dhe të kesh sukses vetëm nga Youtube pa ndihmën e një ekrani gjeneralist, është çmenduri, por vjen nga pasioni dhe puna e madhe. Por të rrezikosh humbje të thella, është budallallëk. Ne nuk jemi këtu për bamirësi.

Seriali do të bëhet, filma do të bëhen, ne në “Anabel” kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë gjithçka si me Korona si pa Korona, si me tërmet si pa tërmet, por çdo gjë ka kohën e vet. E rëndësishme është që gjatë karantinës, sërish, mes shumë vështirësive e pasigurive si të gjithë ju, ne prapë punojmë çdo javë, të maskuar e me 100 dezinfektantë , për t’jua mbushur sado pak të javët me argëtim. Në fund të ditës, argëtimi ka rëndësi!