“Muza Competition”, stilistët e Kosovës në Tiranë për më të mirët e modës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot një grup artistësh nga Shqipëria e Kosova, pjesë e Muza Competition, një projekt i organizuar nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, në kuadër të Tiranës si Kryeqyteti Europian i të Rinjve 2022.
Artistët, personazhe shumë të njohur, si fotografi me famë botërore, Fadil Berisha, etnografja Afërdita Onuzi, modelja me famë ndërkombëtare, Emina Çunmulaj, stilisja ikonë e fashion-design Enada At’Nikolla, stilist Valdrin Sahiti, aktorja e mirënjohur, njëkohësisht edhe deputete e Parlamentit të Kosovës, Adriana Matoshi, si dhe një prej artistëve më të njohur për kontributin në artin kontemporan në Shqipëri nëpërmjet pikturave të tij, Helidon Haliti, do të jenë pjesë e jurisë së spektaklit që do të mbahet mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Veliaj tha se shqiptarët vërtet janë një komb i vogël, por kur është fjala për kulturë e art, mund të japin kontribut të madh.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sot që Fadil Berisha dhe stilistët, artistët dhe disa nga njerëzit që e duan të bukurën në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, me origjinë shqiptare, pra kombi ynë kudo ndodhet në këto treva, janë mbledhur bashkë për të vlerësuar më të bukurën. Vërtet ne shqiptarët jemi ndarë në disa shtete të vogla, por duke qenë se flasim një gjuhë unike, që nuk e flasin miliarda njerëz, duke qenë se kemi pasur një histori të vuajtur, shanset i kemi më të mëdha të fitojmë betejën duke investuar ne kulture dhe art,” u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se shqiptarët sot duhet të krenohen me arritjet dhe jo të krijojnë ndasi. “Ne po jetojmë ditët tona më të mira. Sot kemi kryeministër në një Kosovë të pavarur dhe të lirë, kemi një kryeministër shqiptar në Mal të Zi, nje fqinj shumë miqësor me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne kemi patjetër kryeministër të Shqipërisë dhe qeverisje të Shqipërisë, por vjet kishim drejtimin e OSBE-së, tani jemi në Këshill të Sigurimit. Eshtë shumë e rëndësishme të ‘pickojmë’ veten edhe kur na kap zelli për të thënë diçka më tepër seç duhet, për t’u kujtuar se këto janë ditët e mira të shqiptarëve - ditët e zeza i kemi lënë pas. Nuk duhet te harrojme sa mire jemi dhe të krijojme probleme nga hiçi,” nënvizoi Veliaj, duke shtuar se edhe misioni i “Muzës” është që të shërojë.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku tha se shqiptarët po bëjnë emër sot kudo në botë. “Fakti që sot kemi histori suksesi kudo, të atyre që këndojnë në opera, që kërcejnë në balet, të atyre që kanë pushtuar skenat e botës si Dua Lipa, Rita Ora, Ermal Meta, ata që sot bëjnë dizajn për disa nga emrat më të rëndësishëm të modës edhe të personazheve publikë, unë besoj që kemi gjasa të jashtëzakonshme që ta fitojmë këtë betejë,” deklaroi Veliaj.
Sipas Veliajt, organizime si “Muza”, shërbejnë për të promovuar më të mirën e gjeneratës së re të artit shqiptar: “Secili prej nesh ka një përgjegjësi, të kalojë stafetën tek një brez tjetër. Kur shikoj që historitë më të mëdha të suksesit në këtë fushë janë mbledhur për të gjykuar se kush mund të prodhojë modë dhe dizajn me etnografinë tonë, me vlerat tona, me simbolikat tona, pa u bërë patetikë, pa mbetur në folklorin e vjetër, por si mund ne të gërshetojmë modernen me atë që është tradita jonë dhe që është trashëgimia jonë, ky është një lajm fantastik.”
Muza Competition synon aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë, në rijetësimin e elementeve etnografike në fushën e fashion-it dhe dizajn-it.
Mbrëmjen e sotme në sheshin “Skënderbej” 10 finalistët e pëzgjedhur nga të gjitha trevat do të do të prezantohen me 10 veshje nga koleksioni i tyre fitues.