Art dhe Kulturë

Ndahet nga jeta kompozitori i madh Avni Mula. Lajmin e trishtë e jep e bija Inva

Ndahet nga jeta kompozitori i madh Avni Mula. Lajmin e trishtë e jep e bija

Kompozitori i madh shqiptar, Avni Mula, është ndarë nga jeta mbrëmjen e sotme në moshën 92-vjeçare. Lajmin e trishtë e dha vajza e tij Inva Mula, e cila bën me dije se homazhet do të kryhen nesër nga ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve në Tiranë.

"Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë! Për një përshendetje me dorë në zemër, homazhet kryen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë. Avni Mula 04.01.1928 - 29.10.2020”, shkruan Inva Mula.

Ndahet nga jeta kompozitori i madh Avni Mula. Lajmin e trishtë e jep e bija

Kush ishte Avni Mula

Avni Mula ishte një nga kompozitorët më të mëdhenj të Shqipërisë, që ka marrë disa nga medaljet më të larta të vlerësimit nga qeveria shqiptare, dekoratën e Artistit të Popullit të Shqipërisë dhe dekoratën Nderi i Kombit.

Avni Mula lindi në Gjakovë në vitin 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë vendit. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Ai u martua me sopranon ruse Nina Mula me të cilën patën dy vajza Adelina dhe Inva Mula.