Art dhe Kulturë

Ndahet nga jeta regjisori Leka Bungo

Ndahet nga jeta regjisori Leka Bungo

Regjisori i njohur shqiptar, Leka Bungo, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare, pas një ataku kardiak. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e kanë konfirmuar familjarët përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në qytetin e Vlorës. Ai ishte një nga emrat më të rëndësishëm të skenës artistike shqiptare, me një kontribut të gjerë në teatër, kinematografi dhe televizion. Studimet i nisi për aktrim në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më vonë ndoqi një kurs specializimi për regji në Institutin e Lartë të Arteve.

Gjatë karrierës së tij, ai kontribuoi si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit dhe më pas në Estradën e Shtetit, ku solli në skenë shfaqje me përmbajtje sociale dhe elementë të theksuar satire. Pas viteve ’90, themeloi teatrin privat “Rubairat” pranë Teatrit Kombëtar, një përpjekje për të sjellë frymë të re në teatrin shqiptar, megjithëse ky projekt nuk pati jetë të gjatë.

Në vitin 2002, ai emigroi në SHBA, por nuk iu largua botës së artit. Leka Bungo është autor i disa dramave dhe skenarëve filmikë, si “Pabesia” dhe “Pas fasadës”. Publiku e kujton gjithashtu për interpretimin e tij si Bardhyli në filmin “Një djalë edhe një vajzë” të vitit 1990.