Skënderbeu në Zürich: një promovim për t’u mbajtur mend

Ditët me shi nganjëherë janë ditët më të bukura. Të shtunën që shkoi ishte një ditë e tillë. Qindra kureshtarë të librit u takuan në lokalin Soho në Zürich - www.soho-zurich.ch - për të marrë pjesë dhe përjetuar çaste të paharrueshme me rastin e prezantimit të biografisë së Skënderbeut të historianit zviceran Oliver Jens Schmitt, i cili është profesor në Universitetin e Vjenës.

Erdhën njerëz nga Zürichu e rrethina, nga Baseli, Berni, Zvicra lindore, Luzerni, Zvicra franceze. Kishte pjesëmarrës nga Gjermania jugore, Austria, Franca. Edhe nga Prishtina. Të pranishmit i përshëndeti Ambasadori i Kosovës në Bern, Mentor Latifi. Ai vlerësoi punën e profesorit Schmitt si historian dhe sidomos qëndrimet e tij parimore në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës.

Me entuziazëm të madh publiku priti ligjëratën e Oliver Jens Schmittit, në të cilën ai bëri një krahasim mes viseve shqiptare të Mesjetës dhe gjendjes aktuale politike. Sipas tij paralelet janë të habitshme: si atëherë edhe sot mbizotërojnë përçarjet politike, regjionalizmi i theksuar, rajonet e zhvilluara dhe tepër të varfëra, mbështetja në fuqi të jashtme dhe njëkohësisht këmbëngulja në autonomi. Këtë kolorit Skënderbeu u përpoq ta bashkojë në mënyrë që Shqipëria të merret seriozisht në arenën ndërkombëtare. Schmitt theksoi se Skënderbeu ishte udhëheqësi politik personalisht më trim i historisë shqiptare, sepse as Ahmet Zogu, as Enver Hoxha nuk kanë marrë pjesë vetë në luftëra.

Schmitt e përshkroi Skënderbeun jo vetëm si strateg ushtarak e politik, por edhe si biznesmen, i cili mbante lidhje me institute financiare në Itali dhe Dubrovnik. Në përmbyllje të ligjëratës së tij, Schmitt apeloi te mërgata shqiptare - e sidomos te biznesmenët - të investojnë në kulturë për të lënë një trashëgimi të mirë. Si shembull ai përmendi Greqinë, e cila gjatë historisë së saj ka falimentuar disa herë, por shumë pasanikë grekë kanë krijuar një kulturë mecenati në përkrahje të botimeve, shkencës, bursave, fondacioneve.
***
Në vijim e gjeni fjalën time të mbajtur të shtunën, më 25 tetor, me rastin e promovimit të biografisë së Skënderbeut.
***
Përshëndetje të gjithëve,
ju falënderoj shumë për këtë pjesëmarrje kaq masive, pabesueshëm masive.
1.
Kur po mendoja të themeloja një shtëpi të vogël botuese, e cila do të shërbente si urë kulturore mes mërgatës dhe viseve shqiptare, me qëllim të prezantimit të kulturës sonë në botë, mendimi i parë pas nja 10 sekondash ishte ky: lëre se nuk bëhet kjo punë!
Pse? Sepse sot njerëzit janë robër të telefonit mobil, nuk kanë durim të lexojnë një libër deri në fund, as të shikojnë një film deri në fund. Dhe ti çohesh dhe themelon një shtëpi botuese. Kërkon shtypshkronjën më të mirë në Kosovë. Kërkon letrën më të mirë të mundshme. Organizon transportin nga Kosova në Zvicër. Paketon libra. Shkruan adresa. Bëhesh edhe postier. Ose ndihmëspostier. Ose, më saktë, argat vullnetar kulturor.
Kjo i ngjan një gare të pabarabartë: rreth e rrotull teje të gjithë lëvizin furishëm me vetura elektrike, ndërsa ti je nisur në një udhëtim me një qerre me kuaj.
Megjithatë, nganjëherë ndoshta edhe naivisht duhet besuar në gjëra të pamundshme, duhet besuar se, në thelb, njerëzit janë të mirë, se duan ta fisnikërojnë shpirtin e freskojnë mendjen - dhe këtë më së miri mund ta bëjnë me libra, me kulturë. Për këtë arsye vazhdoj të besoj se edhe në vitin 2025 mund të ketë shans një shtëpi botuese - përkundër qindra vështirësive që të dalin në rrugë. Alternativa do të ishte vegjetimi në pesimizëm kulturor.
2.
Andaj s’dua të ankohem, aq më pak sot. Vetë prania juaj këtu është përgjigjja më e mirë ndaj pesimizmit kulturor. Brenda një viti organizuam dy promovime librash me pjesëmarrje impozante të të interesuarve – dhe botuam tri vepra. Një libër mbi historitë e Zvicrës dhe shtigjet e saj në bjeshkë e alpe. Botuam një dëshmi të gazetares nga Tirana, Mira Kazhani, mbi përballjen e saj me sëmundjen e kancerit të gjirit – një libër që brenda pak javësh i ka thyer shumë rekorde. Dhe sot na ka bërë bashkë projekti i tretë - biografia e Skënderbeut, e shkruar nga Oliver Jens Schmitt, i cili është profesor i Historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës.
Janë shkruar disa biografi të Skënderbeut nga historianë shqiptarë. Secila prej tyre ka vlerën e vet. Kjo biografi që po prezantojmë sot është biografia më gjithëpërfshirëse e një historiani joshqiptar mbi heroin kombëtar shqiptar. Shikimi nga jashtë do të duhej të ishte përherë i mirëseardhur, sepse shpesh ofron një perspektivë tjetër, një vështrim tjetër, një qasje më realiste, pa e ulur rëndësinë e heroit kombëtar, por, po ashtu, pa e ngritur në sfera iluzore.
Siç e dini, nuk ka dëshmi shkencore se ka ekzistuar Wilhelm Telli, heroi nacional zviceran. Por edhe si figurë letrare e shpikur nga një shkrimtar gjerman bazuar në legjenda daneze, Telli i nënshtrohet vështrimit kritik – si nga historianët ashtu edhe nga shkrimtarët zviceranë.
Disa historianë shqiptarë e përshkruajnë Skënderbeun si mbinjeri, i cili nuk ka zbritur kurrë nga kali, sepse vazhdimisht ka luftuar me shpatë në dorë. Në biografinë e profesorit Schmitt, Skënderbeu herë pas here zbret nga kali, sepse edhe ai ishte njeri prej mishi e gjaku, nganjëherë madje edhe figurë tragjike dhe e vetmuar, por jo me fajin e tij.
Vetëm duke e kuptuar Skënderbeun në plotëninë e tij, ne kuptojmë edhe rëndësinë e tij. Shkrimi i historisë nuk merr fund kurrë, as interpretimi i saj sa herë që dalin burime të reja. Bashkë me ju, jam shumë kureshtar sot të dëgjoj fjalën e profesorit Schmitt mbi Skënderbeun.
3.
Por, ju lus edhe për pak durim. E shoh të udhës dhe të domosdoshme të bëj disa falënderime. Kjo është hera e tretë që Kastriot Çaushi na e vë në dispozicion falas këtë lokal të bukur. Kastriot, shumë faleminderit! E falënderoj, natyrisht, Besim Gurgurovcin, i cili me ndërmarrjen e tij transportuese - Abedini Transport - e ka organizuar sjelljen e librave nga Kosova në Zvicër. Dhe jo vetëm që e ka organizuar transportin, por i ka sjellë librat këtu, te lokali i Kastriotit.
Tefik Selmani, Lulzim Barileva, Kastriot Çaushi, Qamil Sadriu, Bekim Arifi, Sevdail Sulejmani, Abrnor Gashi, Bekim Tahiri, Patriot Behrami, Rinol Hasaj, Sufjan Halili, Selver Shkodra, Arven Syla, Kastriot Komani, Argjend Kameraj dhe Agim Pepaj na kanë përkrahur financiarisht për ta bërë të mundur botimin e këtij libri. Faleminderit shumë! Kërkoj ndjesë nëse kam harruar ndokënd.
Veçanërisht kam kënaqësinë të përshëndes Art Bekën, Egzon Gashin dhe Guri Rugovën, të cilët erdhën nga Prishtina në këtë promovim; ata janë duke punuar në një videolojë me Skënderbeun si figurë qendrore. Kjo është një mënyrë për ta afruar heroin kombëtar shqiptar me të rinjtë jo vetëm shqiptarë.
Alban Nevzatit ia kam hëngër nervat me pyetjen: “A i dorëzove librat në postë?” Pa mbështetjen e tij, pa entuziazmin dhe pa vetëmohimin e tij zor se do të ishim këtu.
4.
Para disa ditësh, duke u kthyer me tren nga Gjermania, lexova në librin e një shkrimtari gjerman me origjinë boshnjake se qëllimi i çdo fjalimi duhet të jetë që t’i bëni njerëzit ngapak të qeshin. Sepse kush qesh, nuk e shikon telefonin fshehurazi.
Qe edhe disa lajme të mira.
Po planifikojmë të botojmë libra edhe në gjuhën gjermane. Deri në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2026, duam të botojmë një vëllim me poezi të Azem Shkrelit dhe Ali Podrimjes - dy poetë klasikë të Kosovës në një libër në gjermanisht. Të drejtat e përkthimit i kemi marrë nga një shtëpi botuese në Austri, pas negociatave jo aq të lehta. Universiteti i Regensburgut na i ka dhënë të drejtat për ribotimin e kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës. Këto kujtime Eqrem Bej Vlora i ka shkruar në gjermanisht. Tash ju do të pyesni: ku mësoi Eqrem Bej Vlora gjermanisht? Në kujtimet e tij ai tregon se në fund të shekullit të 19-të, pra para rreth 130 vitesh, në shtëpinë e tij në Vlorë kishte një mësues privat të gjermanishtes. Quhej Feigenwinter. Dhe vinte nga Baseli. Ekziston një përkthim në gjermanisht i Lahutës së Malcis të Gjergj Fishtës. Është botuar në vitin 1949. E ka përkthyer albanologu Maximilian Lambertz. Edhe për botimin e kësaj vepre në gjermanisht kemi marrë pëlqimin nga institucionet përkatëse gjermane.
Duam të afirmojmë edhe autorë të rinj dhe autore të reja. Suksesi i madh i shkrimtares Jehona Kicaj në Gjermani me romanin e saj të parë, është një sinjal i qartë se në vitet dhe dekadat e ardhshme shumë njerëz të mërgatës shqiptare do të gjejnë gjuhën dhe nëpërmjet kësaj gjuhe do të pasqyrojnë të gjitha anët e jetës. Shpresojmë se do të na përkrahin lexueset dhe lexuesit në diasporë. Vetëm në vendet gjermanishtfolëse jetojnë rreth 1 milionë shqiptarë.
Institucionet kulturore të shteteve që qeverisen apo bashkëqeverisen nga shqiptarët në Ballkan duket se kanë prioritete të tjera. A e dini në cilin vit autoritetet e Kosovës kanë përkrahur botimin e një libri me letërsi shqipe në gjermanisht? Në vitin 1979! Pra, para gati një gjysmë shekulli. Atëbotë shtëpia botuese RILINDJA publikoi një antologji me poezi të autorëve shqiptarë në Jugosllavinë e atëhershme. Libri mban titullin: “Dega e pikëlluar”. Por, ta lëmë këtë histori…
Sot është një ditë e gëzueshme. Faleminderit për vëmendjen! Faleminderit për krejt dashninë!
Dhe mirupafshim sërish, të shtunën, më 29 nëntor, nga ora 14:00, në të njëjtin vend, kur do ta promovojmë librin “Një ditë tjetër” të Mira Kazhanit - me ç’rast e pranishme do të jetë edhe autorja.