Art dhe Kulturë

“Zjerm” jo më thjesht një këngë…

“Zjerm” jo më thjesht një këngë…
Më shumë se një këngë “Zjerm” është shndërruar tashmë në një ndjesi, në një energji, në një flakë ritmike e emocionale, që po i përpin të gjithë.
Jo vetëm shqiptarët anembanë botës por dhe të huajt këndojnë nëpër blogje, e social media “shdrit shndrit, shndrit”. Një refren që po përcillet këto ditë edhe nëpër koridoret e St Jakobshalle, ku artistët nga 37 vendet pjesmarrëse, po zhvillojnë provat për Eurovizion 2025.

“Zjerm” jo më thjesht një këngë…
Dhe e ka një shpjegim pse “Zjerm” po ngjit tek kushdo. Siç e analizojnë dhe vetë artistët, Beatriçe Gjergji e Kol Laca, të hujave u pëlqen ritmika, elementi etnik tribal, që është ciftelia dhe ritmika me tarabuk elektronik. “Kjo ritmikë funksionon tek të gjithë europianët sepse është tribalizëm i përbashkët. Ndaj erdhëm në Eurovizion me këtë material, ku kam ndërthur në mënyrë harmonike elementin tradicional, elektrik dhe atë orkestral, pra jo me një pop që mund të bëhet kudo por me një pop shqiptar, që s’bëhet kollaj në vend tjetër. ”- shpjegon Kola, ndërsa Beatriçe i jep peshën në këtë këngë edhe tigullit të bukur që ka gjuha shqipe. “Globalisht kënga jonë është e sinqertë e unike. Është një prodhim organik që po përceptohet nga të gjithë e kjo më konfirmon faktin se melodia krijon emocione edhe pa u kuptu fjala.”

“Zjerm” jo më thjesht një këngë…

Nga falenderimet e vlerësimet e shumta që kanë marrë që prej natës kur fituan festivalin e Këngës në RTSH, artistët e “Shkodrës Elektronike” ndjejnë se në këtë Eurovizion nuk kanë ardhur me këngën e tyre, por me këngën që u përket të gjithëvë. “Njerëzit na falenderojnë. Këtë gjë e kanë ndjejnë si fitore të tyre shumë shqiptare. Na kanë ndje se kjo nuk është thjesht kënga jonë. Ndaj ne sot ndjejmë se në eurovizion po shkojmë të gjithë bashkë”.

“Zjerm” jo më thjesht një këngë…
Më 13 maj, në gjysmëfinalen e parë do të ngjitet në skenë Shkodra Elektronike. Do të jenë të 12-ët në radhë e ky do të jetë dhe numri i votimit për t’i dhënë “Zjermit”, vendin që meriton në këtë Eurovizion, për me shndrit fitoren e Shkodrës Elektronike.
Beatriçe Gjergji e Kol Laca do të shfaqen në skenën e madhe me kostumografinë e krijuar nga Irina Dema, që ka qëndisur mbi trupin e së bijës, legjendën e Rozafës së Shkodrës.
“Zjerm” do të vijë sipas konceptit skenik, të realizuar nga Ombra World Studio në Londër, me drejtim artistik nga Lorenzo De Pascalis. Dizajnet vizuale janë krijuar nga Emanuele Kabu, ndërsa ndriçimi nga Giorgio de Cassan.