Ekonomia

Çfarë është Ligji për Tatimin e Profesionistëve të Lirë dhe pse po kundërshtohet kaq shumë?

Çfarë është Ligji për Tatimin e Profesionistëve

Një ligj i ri, ai për Tatimin e Profesionistëve të Lirë është epiqendra e debateve të ditëve të fundit.

Nga njëra anë qeveria pretendon se po lufton evazionin fiskal, se ka persona që fshehin të ardhurat duke u vetëpunësuar e që mund të ketë raste të tilla plot, por detyra e një shteti është të gjurmojë abuzuesit dhe jo të tatojë të drejtët. Lufto evazionin, ata që abuzojnë me një numër Nipti, dhe fshehin taksat dhe jo sipërmarrje të lira që përdorin trurin.

Nga ana tjetër disa grupe interesi e kanë kundërshtuar dhe ligji është dërguar tre herë në Gjykatën Kushtetuese. Çështja do të shqyrtohet në 21 maj.

Nga opozita, zëri më i fuqishëm në kundërshtim të këtij ligji është Jorida Tabaku, e cila së fundmi ka postuar këtë video të një profesionisteje të lirë dhe shkruan:

“Koduesit/Programuesit që punojnë me kontrata të lidhur jashtë vendit dhe janë pasuri kombëtare në epokën që jetojmë tatohen nga një sistem i padrejtë dhe ligji antikushtetues i "Tatimit për Profesionistët e Lirë"! I tatojnë për një fitim që nuk është kryer!”, shkruan Tabaku.


Çfarë është ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” për profesionet e lira?

Me nisjen e zbatimit nga 1 janari 2024 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” fitimet e bizneseve të profesioneve të lira do të tatohen nga 15 deri 23% pas zbritjes së shpenzimeve nga të ardhurat vjetore.

Administrata Tatimore ju ka dërguar shkresë bizneseve duke i njoftuar që janë pjesë e listës së profesioneve të lira të miratuar nga qeveria, për këtë arsye nga 1 janari 2024 do të tatohen 15%.

Në shkresën e tatimeve dërguar bizneseve të profesioneve të lira sqarohet se për llogaritjen e tatimit paraprak të vitit 2024, do të përdoren të dhënat që kjo kategori biznesesh do të deklarojnë për të ardhurat dhe shpenzimet e 2023. Konkretisht, të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, që bizneset do të deklarojnë për vitin 2023, do të jenë objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatim fitimit paraprak gjatë vitit 2024.

Rreth 29 mijë biznese të profesioneve të lira do të paguajnë tatimin progresiv nga 15 deri 23%

MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtar) përfshihen në fashën e ardhurave vjetore deri 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.

Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë do të tatohet me normën tatimore 23%.

Po si do të përllogaritet parapagimi, që do të bazohet në aktivitetin e vitit 2023, kur ligji nuk kishte hyrë në fuqi dhe profesionistët e lirë nuk e kanë mbajtur kontabilitetin në funksion të një ligji, që nuk kishte hyrë në fuqi ende?!

Çfarë është Ligji për Tatimin e Profesionistëve

Çfarë ndodhi në muajin prill të këtij viti?

Në prill, profesionistëve iu publikuan në sistem deklaratat për këstet e ashtuquajtura “Këste paraprake të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi”.

Së pari, kishte paqartësi në termat e përdorur, duke detyruar administratën të fshijë nga sistemi njoftimin e vlerësimit.

Së dyti, me llogaritjet për parapagimin e tatimit të thjeshtuar nga administrata tatimore nuk është marrë parasysh zbritja e shpenzimeve 30%, por vetëm shpenzimet e deklaruara nga biznesi, duke bërë që këstet të rezultonin mjaft të larta në raport me përllogaritjet paraprake të biznesit, bazuar në logjikën e ligjit.

Së treti, periudha e këstit të përllogaritur dhe publikuar nga tatimet ishte e paqartë dhe pagesa 12-mujore është ngjeshur në 9 muaj.

Ligj i çuar tre herë në Gjykatën Kushtetuese

Ligji për tatimin mbi të ardhurat është çuar në Gjykatën Kushtetuese nga tre grupe interesi. Nismëtarët e ankimimeve vlerësojnë se ligji cenon barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, të sigurisë juridike dhe shkel konkurrencën.

Në muajin shkurt 2024, për herë të parë, shfuqizimi i ligjit nga Gjykata Kushtetuese u kërkua nga 37 deputetë të grupit parlamentar të PD-së.

Në muajin mars u dërgua një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA).

19 Prill depozituar në Gjykatën Kushtetuese, iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financierë, agjentë të shitjeve të pronave etj., si dhe shoqata biznesi.