Ekonomia

Numri i ndjekësve nuk ka më peshë, virali e fiton lojën

Numri i ndjekësve nuk ka më peshë, virali e fiton lojën

Marketingu nga influencerët po rritet ndjeshëm në Shqipëri, me buxhete që rriten çdo vit dhe me fokus gjithnjë e më të madh te krijuesit e përmbajtjes autentike.

Sipas drejtuesit të “Big Media Expert”, numri i ndjekësve nuk është më vendimtar; një postim viral mund të tejkalojë shumëfish audiencën ekzistuese.

Tomi Kallanxhi thotë se sektorët kryesorë që përdorin këtë formë marketingu janë fashion & retail, kujdesi personal dhe elektronika, ndërsa trendet e reja përfshijnë kalimin drejt YouTube dhe bashkëpunimet me televizionet tradicionale.

Sipas tij, një influencer me 50-100 mijë ndjekës mund të paguhet rreth 1,500 euro për një Reel, ndërsa personazhet publikë arrijnë kontrata gjashtëmujor ose vjetore me pagesa që mund të shkojnë deri në 5,000 euro në muaj.

"Është vënë re një përqafim më i madh i krijuesve të përmbajtjes (content creators) krahasuar me figurat thjesht publike. Audienca sot kërkon përmbajtje sa më reale, të prekshme dhe që krijon lidhje emocionale me ta.

Në këtë kontekst, numri i ndjekësve nuk ka më të njëjtën rëndësi si më parë. Qoftë me 2 mijë apo 20 mijë ndjekës, nëse një krijues përmbajtjeje realizon një postim viral, informues ose të dobishëm, ai mund të arrijë një reach shumë më të lartë sesa numri i ndjekësve të tij, madje shpesh edhe më të madh se një influencer me 50 mijë ndjekës.


Megjithatë, për një influencer me mbi 100 mijë ndjekës, bashkëpunimi nuk përfshin vetëm përmbajtjen, por edhe imazhin personal të tij, gjë që ndryshon dinamiken e menaxhimit të buxhetit", shprehet Kallanxhi.

Burimi: revista Monitor