Rriten me 51% shitjet e makinave elektrike në Evropë, shkak çmimet e larta të naftës

Shitjet e makinave elektrike në Evropë janë rritur ndjeshëm, duke shënuar një rritje prej 51% gjatë muajit mars. Arsyeja kryesore është rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës, e lidhur me zhvillimet e fundit nga lufta në Iran.
Sipas të dhënave, në mars janë regjistruar rreth 224 mijë makina elektrike, ndërsa në tre muajt e parë të vitit numri ka arritur në 500 mijë, që është 33.5% më shumë se një vit më parë.
Interesi për këto makina është rritur në të gjithë Evropën. Vendet nordike kryesojnë:
Norvegjia me 98% të makinave të reja elektrike;
Danimarka me 76%;
Finlanda me rreth 50%.
Këto vende kanë përparuar më shpejt falë pagave të larta, subvencioneve dhe infrastrukturës së mirë për karikim.
Edhe vendet e tjera si Gjermania, Franca, Italia, Spanja dhe Polonia kanë shënuar rritje të ndjeshme, rreth 40% në fillim të vitit.
Në Itali, megjithëse tregu është ende i ulët, shitjet u rritën me 65% në mars. Ndërsa në Francë pati një rritje prej 50%, e ndihmuar nga skemat mbështetëse për familjet me të ardhura më të ulëta.
Në përgjithësi, rritja e çmimeve të karburanteve duket se po i shtyn gjithnjë e më shumë njerëzit të kalojnë te makinat elektrike.