Filozofia Urbane

Video/ A duhet të vazhdojmë të rrimë në shpi? Po plazhi?

Video/ A duhet të vazhdojmë të rrimë në shpi? Po

Nga Albatros Rexhaj/ Kjo çështja e karantinës së detyrueshme për 14 ditë pas çdo udhëtimi jashtë shtetit, e që flitet se do të ngelë në fuqi edhe pas hapjes së kufijve, nuk është e menduar mirë. Kjo gjë kishte kuptim atëherë kur mendonim se Covid-19 do të zhdukej për dy maksimum tre muaj, por tani që është më se e qartë se bota do të duhet të bashkëjetojë me këtë virus, mbase deri me 2022, është koha për të rishikuar të gjitha vendimet dhe për t’u përshtatur me situatën e re. Duke pasur në mendje që ne shqiptarët jemi një popull i vogël por edhe i shpërndarë në pesë shtete, konsideroj se duhet menduar që vendet ku ne jetojmë, pra Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi - duke ndjekur shembullin e protokollit të veçantë që sot kanë vendosur Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës apo protokolli i ngjashëm i republikave baltike - duhet krijuar një zonë rajonale të udhëtimit të sigurt gjatë pandemisë së Covid-19.

Brenda kësaj zone, ne qytetarët e këtyre shteteve (dhe këtu përfitimi më i madh është për ne shqiptarët etnik) do të mund të udhëtonim të lirë, pa karantina e ndërlikime tjera, në mënyrë që të mbajmë gjallë lidhjet familjare, shoqërore, dashurore, por sidomos ato ekonomike, përfshirë edhe turizmin veror dhe dimëror. Nëse nuk e bëjmë këtë, por edhe shumë vendime tjera të guximshme, kam frikë se kjo situatë do të kthehet në një ankth të papërballueshëm që në fund do të rezultojë me një kolaps të shumëfishtë. Sa për sqarim, ky mendim i imi nuk ka asnjë agjendë politike (sidomos nga ato me konspiracione) apo tjetër të ngjashme. Është thjesht një mendim i imi tërësisht personal, si qytetar privat, i nxitur nga mërzia dhe lodhja që ka krijuar kjo situatë e tej zgjatur.

Tiranapost.al