Ç’punë ka Prishtina me Teatrin e Tiranës! Po ju flas si një njeri që jeton mes dy realiteteve
Kontroversa rreth teatrit në Tiranë dhe derdhja e debatit përtej Shqipërisë, më ka nxitur të mendoj për një gjë që ka kohë që e shqyrtoj brenda vetes.
Konsideroj se nuk është në rregull që shqiptarët e Shqipërisë të përfshihen në debatin e brendshëm politik në Prishtinë dhe po ashtu nuk është në rregull që shqiptarët e Kosovës të përfshihen në debatin politik në Tiranë. Si dikush që në rrethana normale (pa Covid e të ngjashme) jeton i ndarë mes Tiranës dhe Prishtinës dhe me ndjeshmëri për të dy botët tona, mendoj që ky mosrespektim i punëve të brendshme të njëri-tjetrit sjell vetëm përçarje dhe e thellon mos durueshmërinë dhe stereotipat që kemi ndaj njëri-tjetrit. Dhe kjo është e rrezikshme, sepse thënë të vërtetën nuk është që duhemi aq shumë sa themi, pasi që diskurset tona lokale janë përplot stereotipa absurde për njëri-tjetrin.
Nuk mjafton të kesh mendim për një zhvillim të caktuar në Tiranë apo Prishtinë, por duhet të kesh edhe ndjeshmëri lokale dhe këtë ne nuk e kemi për njëri-tjetrin. Në biseda të panumërta me miq dhe të njohur të tjerë në Tiranë, por edhe duke ndjekur nga afër debatet publike me temë Kosovën, e kam kuptuar që shqiptarët e Shqipërisë, e sidomos analistët, nuk kanë ndjeshmëri reale për realitetin dhe zhvillimet politike në Prishtinë, por e njëjta vlen edhe anasjelltas pasi që edhe analistët e Prishtinës janë pothuajse alienë në botën e Tiranës. Ne jemi një popull, por mendërisht jetojmë në dy botë shumë të ndryshme dhe ky është një fakt që vështirë se mund të mohohet. Si rrjedhojë, Tirana nuk mund ta ndryshojë nga brenda Prishtinën dhe as Prishtina nuk mund ta ndryshojë Tiranën. Madje mendoj që as nuk duhet provuar diçka e tillë, sepse pos që është e kotë është edhe fyese.
Ne jemi vëllezër e motra, por kemi shtëpi të ndara. Derisa të jemi kështu duhet respektuar në maksimum specifikat e veçanta të dy çative, përndryshe rrezikojmë të largohemi edhe më shumë nga njëri-tjetri. Dhe kjo do të ishte vërtet një tragjedi moderne, nga ato me karakter gjithë shqiptar.
Nga Albatros Rexhaj
Blogu: Filozofia Urbane