Filozofia Urbane

Situata jonë me Covid ka vetëm dy zgjidhje, por në fund mos u ankoni!

Situata jonë me Covid ka vetëm dy zgjidhje, por në fund mos u

Sipas autoriteteve stuata është para kolapsit, shumë shpejt nuk do të ketë shtretër dhe staf mjekësor të mjaftueshëm ndërkaq tashmë është bërë normale që në Kosovë e Shqipëri të vdesin nga 5 ose 6 persona në ditë. Dhe të mos harrojmë që jemi akoma në verë.

Të gjithë shkencëtarët pajtohen që vjeshta dhe dimri, sipas të gjitha gjasave, do të jenë tepër të vështira, madje edhe për shtetet më të fuqishme. Ndërkaq këtu te ne, të gjithë ankohemi se si fajet i ka qeveria, se situata pasqyron dështimin e qeverisë dhe trivializma të tjerë thuajse ne vetë, të rriturit e vegjël, nuk kemi as edhe një pikë përgjegjësie.

Situata jonë me COVID-19 ka vetëm dy zgjidhje: ose qeveria shpall gjendje ushtarake dhe na bën zbor që të mos guxojmë të dalim nga shtëpia ose që ne vetë ta bëjmë policin e vetes dhe të rrethit tonë, të mbrojmë veten dhe të tjerët.
Tashmë, pas rihapjes së madhe, mendoj fuqishëm se ky milet nuk e di çfarë do!

Nëse qeveria na fut ligjin ushtarak dhe kështu e heq Covidin, ne ankohemi se kjo është çnjerëzore, se ka qëllime të errëta deri në teori absurde të konspiracionit.

Nëse qeveria na kërkon të tregohemi të arsyeshëm dhe të kujdesshëm, dmth ta shpëtojmë atë pak ekonomi që e kemi, plas tallavaja e qejfi, dhe pastaj kur përkeqësohet situata klithim "fajet i ka qeveria" që nuk po na rrah, nuk po na gjobit e nuk po na mbyll.

Duhet të zgjedhim çfarë duam sepse përndryshe do shkojmë për lesh, do të na vdesin njerëzit e do të na shkatërrohet ekonomia dhe gjeneratat e ardhshme do të na mallkojnë.

Personalisht nuk kam besim në vetëdijen tonë kolektive, si shoqëri, prandaj mendoj që kryeministri Hoti dhe kryeministri Rama nuk duhet të hezitojnë e të na bëjnë zbor sepse, si duket, ne gjuhë tjetër nuk kuptojmë.
Zot, mbroji shqiptarët nga marrëzia e pakujdesisë së tyre!

Nga Albatros Rexhaj

Blogu: Filozofia Urbane