Histori Personale

Historia e një fëmije të rrëmbyer në Kili që 42 vjeç gjeti familjen

Historia e një fëmije të rrëmbyer në Kili që 42

Scott Lieberman, një amerikan që jeton në San Francisko, e ka ditur gjithmonë se ishte birësuar nga Kili. Ajo që ai nuk dinte ishte që u rrëmbye që foshnje.

“Kam jetuar 42 vite të jetës sime pa e ditur se më kanë rrëmbyer duke mos ditur se çfarë ndodhte në Kili gjatë viteve 70 dhe 80. E tregoj historinë time, sepse dua që njerëzit ta dinë… Ka familje që mund të ribashkohen ende”, tha Lieberman.

Gjatë diktaturës së gjeneralit Augusto Pinochet (1973-90), shumë foshnja u dërguan në agjencitë e birësimeve. Disa nga fëmijët vinin nga familje të pasura. Familje që nuk dëshironin t`i mbanin, i dhuronin për të mbrojtur reputacionin. Të tjerë me prejardhje më të varfër thjesht u rrëmbyen, siç ishte dhe rasti me Lieberman.

Në dekadën e fundit, CNN ka dokumentuar raste të shumta të foshnjave kiliane që janë marrë në lindje. Priftërinjtë, murgeshat, mjekët, infermieret dhe të tjerë komplotuan për të kryer birësime të paligjshme, me motivin kryesor fitimin financiar.

Numri i bebeve të rrëmbyera mund të jetë në mijëra.

Kur Lieberman mori vesh për skandalin disa muaj më parë, ai filloi të pyeste veten nëse e njëjta gjë i kishte ndodhur atij dhe filloi të bashkonte historinë e dy familjeve të mashtruara, në Kili dhe në Shtetet e Bashkuara.

Historia e Lieberman fillon në fund të vitit 1979 në qytetin e Cañete, që ndodhet në rajonin Biobío në të Kilit. Nëna e tij Rosa Ester Mardones, atëherë 23 vjeçe, sapo kishte marrë vesh se ishte shtatzënë. Duke qenë se ishte e pamartuar dhe në një situatë të vështirë financiare, ajo kërkoi ndihmë, sipas vajzës së saj Jenny Escalona Mardones, e cila është dy vjet më e madhe se Lieberman.

Escalona i tha CNN se murgeshat katolike shkuan për të vizituar nënën e saj dhe i ofruan një punë në Santiago, kryeqytet, ku 'ajo do të bënte punë shtëpiake në një shtëpi që i përkiste një mjeku'.

Në Santiago, ajo u ndihmua edhe nga një punonjëse sociale. Ppunonjësja sociale e detyroi nënën e saj të nënshkruante dokumente të shumta që e reja nga fshati nuk i kuptonte plotësisht.

Foshnja lindi më 21 gusht 1980, por punonjësja sociale mori kujdestarinë. Nëna e Lieberman u kërcënua kur kërkoi fëmijën e saj.

“Djali juaj tani është në Holandë ose Suedi. Ai është në një vend tjetër. Ti je një grua e varfër, beqare dhe nuk je në gjendje të rritësh një fëmijë”.

Gjatë diktaturës, bërja e shumë pyetjeve ishte e rrezikshme.

Foshnja ishte me të vërtetë në një vend tjetër, por jo në Evropë. Një çift amerikan e kishte birësuar atë dhe kishte bërë të gjitha dokumentet për ta marrë ligjërisht foshnjën me vete në shtëpi në Shtetet e Bashkuara.

'Ndihem më i kompletuar'

Në një intervistë për CNN, Lieberman, tani 42 vjeç, tha se prindërit e tij birësues kurrë nuk dyshuan se po birësonin një djalë që ishte rrëmbyer nga nëna e tij biologjike.

Vetëm nga fundi i vitit të kaluar, kur Lieberman, i cili punon si redaktor, lexoi një histori rreth birësimeve të paligjshme në Kili, filloi të interesohej nëse ky kishte qenë edhe rasti i tij.

Me ndihmën e 'Nos Buscamos' një organizatë jofitimprurëse kiliane, ai zbuloi se kishte një gjysmëmotër. Me ndihmën e MyHeritage, një kompani gjenealogjike, Lieberman dhe Escalona bënë testet e ADN-së që konfirmuan se ata kishin lidhje gjaku.

Më 11 prill, Lieberman fluturoi në Kili për të takuar familjen e tij biologjike. Nëna e tij kishte vdekur nga kanceri i kockave në vitin 2015, në moshën 58-vjeçare.

Historia e një fëmije të rrëmbyer në Kili që 42

Pavarësisht vështirësive të gjuhës me motrën, nuk kishin nevojë për fjalë. Nënën e vizituan aty ku prehej.