Histori Personale

Kjo vajzë paditi profesorin se e ngacmonte seksualisht. Gruaja e tij fiton gjyqin

Kjo vajzë paditi profesorin se e ngacmonte seksualisht. Gruaja e tij fiton

Profesori i historisë së artit dhe studentja e tij kishin mbaruar darkën dhe po shëtisnin përgjatë lumit në Kioto, ish-kryeqyteti piktoresk i Japonisë, kur u ndalën në një bar.

Prej muajsh ata kishin kaluar shumë kohë së bashku dhe profesori e kishte puthur një herë në një park në Tokio. Tani, pas disa pijeve, ai e ftoi atë në hotelin ku qëndronte e ku patën kontakt seksual. Ajo tha se ishte kundër dëshirës së saj, kurse ai tha se ishte konsensuale.

Që nga ajo ditë, ata filluan një marrëdhënie klandestine, prej një dekade që përfshinte takime të fshehta dhe disa udhëtime jashtë shtetit.

Me kalimin e kohës, studentja arriti të besonte se profesori kishte përfituar nga detyra dhe se ajo kurrë nuk kishte dhënë konsensusin të qëndronte me të.

Kur më në fund ndërpreu marrëdhënien, ajo bëri një ankesë zyrtare në universitet dhe paditi profesorin për ngacmim seksual. Padia e saj: Profesori kishte shfrytëzuar pozitën e tij kur ajo ishte 23 vjeçe për t`i kërkuar favore seksuale, për ta sulmuar dhe më pas për ta mbajtur nën ndikimin e tij për vite me rradhë.

Ajo që nuk pritej ishte një padi nga gruaja e profesorit. Ajo i paditi për tradhti bashkëshortore dhe shkaktim të shqetësimit mendor sipas kodit civil të Japonisë, i cili i sheh marrëdhëniet jashtëmartesore si shkelje të kontratës martesore.

Në fund, gruaja fitoi gati 20,000 dollarë. Profesori u pushua nga puna, kurse studentja e humbi çështjen pasi kurrë nuk ishte detyruar me forcë të kryente marrëdhënie.

Historia e Meiko Sano, tani 38 vjeç, profesorit të saj, Michio Hayashi, 63 vjeç dhe gruas së tij, Machiko, 74 vjeç, thekson edhe njëherë situatën e ngacmimeve seksuale në Japoni, ku gratë rrallë i fitojnë çështje të tilla dhe ku lëvizja #MeToo ende nuk ka zënë vend si në Perëndim.

'Brenda Japonisë ekziston kjo kulturë ku të gjithë duhet të përpiqemi të shkojmë mirë,' tha Yukiko Sato, drejtoresha e Spring, një grup jofitimprurës advokues për të mbijetuarit e sulmeve seksuale. “Pra, nëse ju kërkohet të bëni seks, mund ta keni të vështirë të thoni jo.”

“Për sa i përket sulmit seksual, duhet të ketë një kërcënim të madh dhe viktima duhet të luftojë”, tha Mizuki Kaëamoto, një avokate që shqyrtoi ndryshimet e mundshme në ligjet e vendit për krimet seksuale. Ligji aktual, tha ajo, nuk mbron njerëzit që “detyrohen psikologjikisht të thonë po”.

Në të kundërt, ligjet në Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane marrin parasysh që një viktimë mund të mos jetë në gjendje të japë pëlqimin për shkak të sëmundjes ose dehjes, ose që një shkelës mund të shfrytëzojë një situatë kur është autoritet.

Disa avokatë thonë se institucionet japoneze kanë nevojë për udhëzime më të qarta në lidhje me marrëdhëniet midis studentëve dhe profesorëve. Qeveria kohët e fundit u bëri thirrje universiteteve që të ofrojnë më shumë informacion në lidhje me shërbimet e këshillimit për ngacmimin dhe dhunën seksuale dhe të zbulojnë kur ndërmerren masa disiplinore.

Sano tha se po përballej me çrregullimin e stresit post-traumatik dhe po punonte për të rikuperuar aftësinë e saj 'për të thënë jo'. Ajo tha se sjellja e saj ishte një shenjë indoktrinimi dhe se kishte frikë të ishte 'e pasjellshme' me mbikëqyrësin e saj, i cili kishte autoritet mbi karrierën e saj të ardhshme.

Kur ajo po përpiqej t'i jepte fund marrëdhënies, Hayashi do ta akuzonte atë se ishte 'paranojake' ose do t'i thoshte se nuk do të mund të dilte kurrë me dikë tjetër.

Në pranverën e vitit 2018, Sano punonte në një galeri arti në Tokio dhe e ndërpreu marrëdhënien përgjithmonë. Ajo ngadalë filloi t'i tregonte familjes së saj dhe një rrethi të vogël miqsh për këtë dhe u përball me një ndjenjë dërrmuese turpi. Tentoi edhe të vetëvritej.

Ekspertët e ngacmimeve seksuale thonë se do të duhen më shumë se veprimet ligjore për të ndryshuar kulturën.

“Pikëpamja e pranuar përgjithësisht është se nëse një grua pranon një puthje ose shkon në një takim, atëherë kjo është konsensuale”, tha Muta nga Universiteti i Osakës, e cila mbron politikat e universitetit që ndalojnë marrëdhëniet romantike midis profesorëve dhe studentëve. “Ne po luftojmë për të ndryshuar klimën, por ende nuk kemi qenë aq të suksesshëm.”