Histori Personale

Kostoja sociale e të qenurit njeri mëngjesi

Kostoja sociale e të qenurit njeri mëngjesi

Nga Liz Krieger/ Në jetën time të dikurshme, më pëlqenin mëngjeset, por nuk isha “person i mëngjesit”. Rrija deri vonë duke parë televizor apo duke lexuar në shtrat dhe pranoja pa hezitim darka që fillonin pasi binte errësira. Mëngjeset i shikoja thjesht si pjesë të ditës, herë pas here admiroja lindjen e diellit, por kurrë nuk vendosa alarmin posaçërisht për ta parë lindjen e tij.

Pastaj u bëra me fëmijë. Nevojat e tyre kërkonin zgjimin e hershëm, ndaj për vite me radhë zgjohesha sapo dëgjoja zhurmat e para, bëja mëngjesin dhe ndërtoja kulla me kubikë pa u zgjuar mirë as vetë. Sot janë më të rritur dhe rrallë kanë nevojë për mua para agimit. Megjithatë, rutina e zgjimit të hershëm nuk po më largohet.

Arsyeja është se orët e mëngjesit janë bërë të shenjta: është koha e vetme vetëm për veten time dhe për një prind kjo është e çmuar. Gjithashtu, ndiej kënaqësi të vërtetë nga produktiviteti i hershëm. Sa më herët të zgjohem, aq më shumë shkruaj, ushtrohem rregullisht dhe përballoj sfidat me qartësi para se lodhja e pasdites të shfaqet.

Por çdo ndryshim ka çmimin e tij. Çmimi im është paguar në orët e mbrëmjes, ato momente të rëndësishme kur familjet takohen pas ditës, kur adoleshentët hapen më shumë, kur miqtë takohen dhe marrëdhëniet bashkëshortore forcohen nën rehati pasi detyrimet kanë mbaruar.

Jam kthyer në dikë që ia jep ditës pjesën time më të mirë dhe i lë natës thërrimet.

Pak nga pak, natyra “fle herët e zgjohem herët” ka ndikuar ritmin e familjes sonë.

Mëngjesi është fusha ime. Bëj mëngjesin, ushqej tre kafshët tona dhe i përcjell të gjithë drejt derës për të nisur ditën. Kur vajzat ishin më të vogla, u bëja dhe ushqimin për në shkollë dhe i shoqëroja, me filxhanin e kafesë bosh prej kohësh.

Burri im preferon të qëndrojë zgjuar vonë, ndaj ai merret me detyrat e mbrëmjes: shëtitjet e vona, problemet teknike që shfaqen natën, copat e informacionit që adoleshentët zbulojnë pikërisht kur janë gati të flenë.

Është një ndarje e efektshme, por ka krijuar një hendek të padukshëm, unë marr zgjimet e mjegullta të vajzave, ai merr çastet e tyre të brishta të natës.

Ky çmim tani duket më i lartë, sepse vajzat, tashmë 12 dhe 16 vjeç, bien për të fjetur më vonë. Siç e dinë shumë prindër, adoleshentët janë “qenie nate” nga biologjia: pas pubertetit, ora e tyre e brendshme zhvendoset rreth dy orë.

Fëmijët që flinin në 9 të darkës, tashmë lodhen rreth 11-ës.

Dëshira për të qëndruar zgjuar vonë kulmon rreth moshës 16 për vajzat dhe 17 për djemtë.

Një arsye pse adoleshentët rrinë zgjuar është se rezistojnë më shumë ndaj “presionit të gjumit”, impulsit natyror të trupit për të fjetur. Dhe pak para se të dorëzohen në gjumë, shumë prej tyre përjetojnë një valë rikthimi të energjisë, të quajtur “zona e ndaluar për gjumë”. (E kam parë nga afër, vajza ime e madhe ka vendosur disa herë, në 11 të natës, të riorganizojë të gjithë dollapin, shpesh ndërsa është në videotelefonatë me shoqe.)

Çfarë kuptoj nga kjo? Adoleshentët duan lidhje pikërisht kur unë jam në fund të baterive.

Vajzat e dinë këtë. Është kthyer në shaka familjare fakti që mami “kthehet në kungull” në 9:30. (Njëra prej tyre madje më dhuroi çorape me mbishkrimin “Në shtrat në 9”.) Por kjo nuk e lehtëson ndjenjën e fajit sa herë që njëra vjen në dhomë në 10:30, duke kërkuar ndonjë gjë për të ngrënë, por në të vërtetë teston nëse jam ende mjaftueshëm zgjuar për ta dëgjuar. Shpesh e nxit bisedën të përfundojë sa më shpejt. Po, pohoj në momentet e duhura, por jo gjithmonë bëj pyetjet që hapin zemrën.

Diçka e ngjashme ndodhi javën e kaluar: vajza e vogël erdhi pas orës 10 për të folur për planet e fundjavës. U përpoqa të riorganizohem, u ngrita pak, u shtira sikur po ndiqja çdo detaj, por truri im tashmë po fikej. Ajo e kuptoi. Pas një pauze të shkurtër, hoqi dorë dhe më uroi natën e mirë. Qëndrova shtrirë, e mbushur me keqardhje që u shkëputa pikërisht kur ajo u afrua.

Energjia ime e zbehur e mbrëmjes ka prekur gjithkënd: bashkëshortin, miqtë, familjarët. Kur shtëpia qetësohet dhe mund të shoh një film me burrin, unë jam gjysmë në gjumë. Në fundjavat me miq, kur nisim një film, jam ajo që dorëzohet e para, duke humbur jo vetëm fundin e filmit, por edhe bisedat e gjata dhe lojërat që vijnë pas tij.

Ndonjëherë pyes veten nëse kjo është thjesht pjesë e plakjes. Ndoshta shkëmbimi mes produktivitetit të mëngjesit dhe kapacitetit shoqëror të mbrëmjes është po aq i pashmangshëm sa flokët gri. Por dyshoj se ka diçka më të veçantë: duke optimizuar veten për orët e para, ndoshta kam ndryshuar jo vetëm orarin, por edhe disponueshmërinë emocionale.

Ndoshta një rrugë e mesme do të më lejojë të shpërndaj energjinë më mirë përgjatë ditës dhe jo ta ngarkoj të gjithën në mëngjes. Po përpiqem ta bëj këtë. Orari i udhëtimeve të burrit më ka detyruar gjithashtu: disa net në javë e mbaj unë “turnin e natës”.

Fillimisht u fokusova tek mbijetesa, duke numëruar minutat deri sa të shkoja në shtrat. Por po e rishikoj këtë: këto janë orë ku mund të jem e pranishme, jo thjesht të qëndroj zgjuar.

E di që nuk do bëhem kurrë njeri që “ringjallet” në mesnatë, por po mësoj t’i zgjeroj kufijtë e ditës. Balanca, besoj, nuk ka të bëjë me braktisjen e natyrës sime të mëngjesit, por me lënien e hapësirës për lidhje edhe kur nuk përputhet me orën e trupit.

Disa net më parë, rreth orës 11:30, isha pothuajse në gjumë në divan kur dëgjova vajzën e madhe duke luajtur kitarë, po e mëson vetë. Në vend që të zhdukesha në gjumë, e ftova të vinte lart dhe të luante pranë meje ndërsa unë futesha nën jorgan. Ishte vetëm 10 minuta, por ndjeva një fitore të vogël, një moment afërsie që nuk e humba. Dhe u ndjeva kaq mirë.

*Liz Krieger është gazetare në The Atlantic