Nga Mira Jacob/ E dija nga vetulla e djathtë e mikes time më të mirë se diçka nuk shkonte. E keni parasysh? Kur e njeh fytyrën e dikujt aq mirë, sa e kupton kur një vetull më lart apo më poshtë mund të nënkiptojë se ajo që do dëgjosh, do të të vrasë shpirtin?
Duhet të flasim, më tha Alison, dhe unë qëndrova në gatishmëri të lartë, gati për të vrarë demonët e fëmijërisë, ose për të folur me armiqtë e saj.
"Je mirë?", e pyeta. Ishte një pyetje e kotë. Kur ishte hera e fundit që dikush në planetin Tokë ishte vërtet mirë? Pesëmbëdhjetë muaj të pandemisë na ishin futur aq thellë në kokën tonë, saqë thjesht të dilnim nga shtëpia na dukej sikur e kishim jetën në rrezik.
Pas nesh në Prospect Park, fëmijët luanin bejsboll, sepse të gjithë po përpiqeshin të pretendonin se gjërat po ktheheshin në normalitet.
"Mendoj se do shpërngulemi", tha ajo.
Pohova me kokë. Është tipikisht sjellja ime kur më kapin në befasi. Por ndjeva një boshllëk në stomak. Alison dhe unë kishim jetuar gjashtë blloqe larg për 12 vjet dhe gjashtë stacione metroje larg për 10 vitet para kësaj periudhe. Janë 22 vite lundrimi me shefat e këqij, me zgjedhjet e jetës, me pritjen në ankth të Pap testeve dhe prerjet e mundshme të flokëve.
"Në Karolinën e Veriut," shtoi ajo.
Ndonjëherë në jetë, ju befasoni veten, duke u kthyer nga dhimbja e fortë për të gjetur mençurinë dhe qartësinë që nuk e dinit se e zotëronit. Ky nuk ishte ai moment për mua. Domethënë, u përpoqa. E bëra zërin tim të qartë, të lirshëm për të gjitha gjërat e mrekullueshme që vijnë me largimin nga Nju Jorku - Hapësira e dollapit! Kopshtet! Por brenda isha ftohur. Trupi im bërtiste nga pikëllimi që ende nuk është zbehur më shumë se një vit më vonë.
Më vjen keq kur e them këtë. E di sa keq tingëllon, veçanërisht në një moment kur kaq shumë kanë humbur, kaq shumë. Megjithatë një mik i ngushtë që lëviz në një shtet tjetër është gjithashtu një tragjedi. Unë eci nëpër rrugët ku kam jetuar për dekada nën një panik të shurdhër, e pasigurt se kur do të ndihem më si në shtëpinë time.
Po, qyteti ndryshonte gjithmonë, por ne po ndryshonim me të.
Puna është se në këtë vend ne ishim vajza. Pinim çajin këtu. Kemi punuar katër punë në të njëjtën kohë këtu. Aty kishim qarë gjatë 11 shtatorit
Këtu gjetëm partnerët tanë. Këtu lindëm fëmijët. Humbëm baballarët.
Në mars të vitit 2020, ne u përqafuam me njëra-tjetrën. Thamë "lamtumirë tani për tani" dhe nuk e prekëm njëra-tjetrën për një vit të plotë.
Ne bëmë zgjedhje të vështira dhe jetuam me to këtu. Po, qyteti ndryshonte gjithmonë, por ne po ndryshonim me të. Dhe mendoj se një pjesë e imja besonte vërtet se kur të ndihej më në fund e sigurt të dilnim përsëri, do ta bënim së bashku. Por tani, largimi i saj më ka bërë të kuptoj: nuk e di vërtet se cila është shtëpia ime pa atë në të.
E di që tingëllon qesharake. Partneri im dhe djali ynë janë këtu. Apartamenti që ne luftuam për të përballuar dhe mbajtur është këtu. Ne jemi të dënuar të përjetshëm në këtë vend, dhe nëse kam ndonjëherë ndonjë dyshim, familja ime shpejt më kujton se ne e duam këtë qytet. Dhe kanë të drejtë. Por gjithashtu, ata nuk janë mikja im më e mirë.
Një mik më i mirë është një lloj shtëpie krejtësisht tjetër, një shtëpi që zbulohet se është më e mrekullueshme me kalimin e kohës.
Nuk ka asnjë kontratë që mund ta nënshkruani me mikun tuaj më të mirë se do të qëndroni përgjithmonë bashkë, derisa vdekja t'ju ndajë; është vetëm dashuria dhe prezenca.
Alison dhe unë premtuam se do të vazhdonim të shfaqeshim për njëra-tjetrën edhe kur ajo të largohej. Deri tani kemi qenë aty në momente të caktuara, dhe unë e di që ashtu do vazhdojë. Ne do të bëjmë sërish shëtitje dhe biseda përmes telefonit. Ne do t'i tregojmë njëra-tjetrës gjëra që nuk mund t'ia tregojmë askujt tjetër. Do të dëgjojmë shumë fort. Por nuk është njësoj sikur të kalojmë së bashku.
Këto ditë, unë kam shkuar në takime me miq të rinj, jam ulur në stola me gra që nuk i njoh. Dua të them se po shkon vërtet mirë, por e vërteta është se shumë herë është e sikletshme. Askush prej nesh ende nuk është mësuar të jetë fizikisht afër njerëzve, aq më pak afër të huajve.
Më pëlqejnë pauzat tona, pyetjet tona, vështrimet tona tentuese, të pyesim veten se kur mund të bëhemi sërish bashkë. Ne jemi vajza të humbura në këtë moment, duke kërkuar nëpër shtëpi për njëra-tjetrën.