Pse askush nuk flet në BAFTA për regjisorët e intimitetit?
"Faleminderit për ekzistencën tuaj në industrinë tonë, që e keni bërë hapësirën të sigurt. Për krijimin e kufijve fizikë, emocionalë dhe profesionalë, në mënyrë që të mund të punojmë pa shfrytëzim dhe pa abuzuar gjatë procesit”, këto ishin fjalët e Michaela Coel, kur fitoi në BAFTA për rolin e saj në dramën e “I May Destroy You”, në 2021-shin.
Ajo ia kushtoi çmimin e saj koordinatores së intimitetit, Ita O'Brien.
Koordinatori i intimitetit ose regjisori i intimitetit është një anëtar i ekipit filmik ose televiziv që siguron mirëqenien e aktorëve dhe aktoreve që marrin pjesë në skena intime.
Disa janë të përfshirë në një projekt që nga fillimi, duke ndihmuar në formimin e skenarëve dhe veprimeve në sheshxhirim duke pasur parasysh sigurinë emocionale.
Fjalimi i Mikaelës ishte i përzemërt, por ishte gjithashtu për të vënë në dukje se nuk ka asnjë kategori që vlerëson punën e këtyre regjisorëve.
Dhe dy vjet pas kësaj deklarate, regjisorët e intimitetit ende nuk njihen në BAFTA.
Pse? Askush nuk e di. Dhe është pikërisht arsyeja pse regjisorja me famë botërore dhe pionierja e 'pornografisë së re' Erika Lust po bën thirrje që BAFTA dhe Academy Of Motion Pictures Arts and Sciences të prezantojnë një kategori të re: Trajneri më i mirë i intimitetit në një film.
Pothuajse në çdo film që shikojmë ka një lloj skene intime mes aktorëve.
Nëse është një puthje në dush, mes çarçafëve në shtrat apo kudo, duhet të jetë dikush aty për t'i udhëhequr, për të monitoruar se çfarë ndodh.
Ka çmim BAFTA dhe Oscar për dizajnin e kostumeve, dekorimin e brendshëm dhe flokët e grimin, ndaj siç pyet Erika, pse të mos ketë çmim për regjisorët e intimitetit?
Erika flet me aktorët e saj javë para xhirimeve, duke i përcjellë ata nëpër skenar, duke u shpjeguar se si do të xhirohet dhe kush do të marrë pjesë.
“Është shumë e rëndësishme për mua të kuptoj se cilët janë aktorët. Çfarë pëlqejnë ata? Çfarë jo? A kanë ata ndonjë kufi apo njerëz me të cilët do të dëshironin të punonin? A kanë ata njerëz me të cilët nuk duan të punojnë?”, thotë Erika për punën e saj.
Ajo sqaron se aktorët marrin një kontratë ku mbrohen të drejtat e tyre.
Erika thekson: “Nëse ndodh diçka gjatë xhirimeve, ne i ndalojmë xhirimet. Ky është rregulli i parë.'
Ekziston edhe një pyetësor anonim që aktorët mund ta plotësojnë më pas, nëse pas xhirimit kanë ndonjë gjë me të cilën nuk janë plotësisht të kënaqur.
Shkurtimisht: ka shumë punë dhe kujdes për t'u siguruar që dikush të ndihet rehat në xhirime.
A nuk ka ardhur koha që këta njerëz prapaskene të njihen për punën e tyre?