Evente

Tirana kujton 78-vjetorin e Çlirimit sot

Tirana kujton 78-vjetorin e Çlirimit sot

Tirana kujton sot 78-vjetorin e Çlirimit nga nazifashistët. Tek Partizani i Panjohur u mbajt ceremonia e vendosjes së kurorave.

Të pranishëm ndër të tjerë ishin kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Tirana kujton 78-vjetorin e Çlirimit sot

“Tirana është i vetmi kryeqytet në Europën Lindore që u çlirua me forcat e veta dhe të aleatëve, pa asnjë këmbë ushtari rus në territorin e saj. E sot, teksa trupat ruse synojnë territore të tjera, besoj se për të gjithë ata që kanë një pikëpyetje për luftën, e për të gjithë ata që përdorin politikën për t’u ndarë mbi rëndësinë e luftës, do duhet ta mendojnë sërish! Ndaj, e kam zemrën plot krenari për të gjithë qytetarët tanë, për të gjithë ata që mishërojnë vlerat e luftës, për të gjithë ata që, edhe në politikën e ditëve të sotme, teksa ne përballemi fillimisht me tërmetin, pastaj me pandeminë, mandej me inflacionin e luftës së Putinit - si një luftë e pabesë ndaj popullit të Ukrainës, por edhe një luftë e pabesë ndaj Perëndimit dhe misionit tonë perëndimor - sot, më shumë se kurrë lipset të jemi bashkë. Kur jemi bashkë ne mund të bëjmë gjëra që veç e veç nuk i bëjmë dot. Kur jemi bashkë mund të kalojmë situata që, veç e veç nuk i kalojmë dot. Kur jemi bashkë ne mund të ngrihemi më të fortë, ndoshta edhe më të fortë seç ishim kur u rrëzuam prej tërmetit, prej pandemisë, apo prej kësaj lufte të pabesë. Ndaj miq, sot misioni është i njëjtë si në 17 nëntor të 1944-ës, për të qenë bashkë, për të qenë solidarë, për të qenë perëndimorë,” tha Veliaj në fjalën e rastit.

“Ne jemi krenarë, - tha më tej Veliaj, - që përfaqësojmë një politikë, e cila i ka rrënjët në luftën antifashiste”.

“Të paharruar qofshin dëshmorët tanë, i paharruar populli i Tiranës, i cili pavarësisht atyre që edhe sot mundohen të na përçajnë, duke thënë ca janë të ardhur e ca janë vendalinj, ju kujtoj se ata që çliruan Tiranën i përfaqësonin të 36 rrethet e Shqipërisë, i përfaqësonin të 12 qarqet e Shqipërisë, madje në Tiranë kanë luftuar qytetarë, partizanë që vinin nga Kosova, nga Tetova, nga Plava e Gucia. Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se këtu jemi të gjithë bashkë për një qëllim. Ashtu si himni “Rreth flamurit të përbashkuar”, qofshim gjithmonë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u shpreh: “Çdo komb çlirohet me përpjekjet e veta thoshte i madhi Fan Noli dhe djemtë dhe vajzat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë luftuan lagje më lagje, rrugë më rrugë, barrikadë më barrikadë për të çliruar Tiranën duke shënuar dhe një pikë kulmore drejt çlirimit të gjithë Shqipërisë. Populli i Tiranës dhe populli i Shqipërisë, e përkrahu luftën antifashiste, duke treguar edhe njëherë vlerat e larta, mençurinë, që populli shqiptar ka, duke u rreshtuar krah aleatëve tanë të mëdhenj, duke u rreshtuar në anën e duhur të historisë, aty ku ishte lufta për liri dhe demokraci.”