Karantina Blog

Dialog me Alain de Botton: Mërzia në izolim tregon se nuk duam të takohemi me vetveten

Dialog me Alain de Botton: Mërzia në izolim tregon se nuk duam të

Ishtë viti 1650 kur Blaise Pascal vërente se “e gjithë mungesa e lumturisë së njerëzve vjen vetëm nga diçka: nga padija për të qëndruar të qetë në një dhomë”. Katër shekuj pas reflektimit të matematikanit dhe filozofit francez, njeriu është i detyruar të bëjë hesapet me izolimin shtëpiak për të mirën e përbashkët. Po nëse ajo “mungesë lumturie” rizgjohet, si t’ia bëjmë?

Filozofi dhe shkrimtari zviceran Alain de Botton tenton të japë disa përgjigje. “Si në një udhëtim shumë të gjatë me tren, koha tashmë kalon ngadalë dhe hapësira është e kufizuar, por jo mendja jonë. Nëse jashtë bie shi, asgjë nuk na ndalon të imagjonojmë një fshat në pranverë. Nëse dimë si të përballemi me izolimin, kur dera të rihapet do të kemi mundësi të përballemi me shumë gjëra”, thotë ai.

Por të qëndrojmë vetëm në shtëpi nuk është e thjeshtë.

Në këtë moment vështirësia i atribuohet izolimit, por mendoj se bëhet fjalë për një problem të përgjithshëm: është gjithmonë e vështirë të rrish vetëm sepse kemi shumë mendime të cilat janë të vështira për t’u pranuar, por që shpesh herë nuk i vëmë re gjatë përditshmërisë sepse jemi të zënë me punë të tjera. Janë mendime trishtimi dhe vetmie, keqardhjeje, konfuzioni apo edhe dëhsira për një jetë të ndryshme nga ajo që kemi. Mund të jenë të sikletshme, por janë pjesë e jona. Kur gjendemi të vetëm në një dhomë, ka gjithmonë diçka që na shqetëson. Në frazën “jam i vetëm në shtëpi dhe po mërzitem”, fjala “mërzi” duke e pafajshme. Tingëllon si “nuk kam çfarë të bëj”, por në të vërtetë ka një konotacion shumë më të fortë. “Mërzia” tregon mungesën e vullnetit për t’u takuar me vetveten, por të mos krijuar një dialog të brendshëm, për të mos u përqëndruar në ekzistencën personale. Ka të bëjë me përpjekjen për të qenë më të sjellshëm dhe delikatë ndaj vetes. Mendoj se vlen të marrim letër dhe laps e të shkruajmë e zeza mbi të bardhë se cilat janë gjërat që na trishtojnë, por edhe ato që na gëzojnë, ato që duam të ndryshojmë në jetën tone. Nuk bëhet fjalë për të shkruar një ditar izolimi, që mund të kthehej në diçka të mërzitshme, por një ditar që flet për ne brenda izolimit, të ndjenjave dhe emocioneve tona. Kështu nis udhëtimi brenda vetes.

“Udhëtim”? Na thoni më shumë.

Pikërisht kështu. Udhëtim. Nuk arrijmë të kujtojmë shumë prej gjërave që besojmë. Zotërojmë një arkiv shumë të madh: imazhe, aroma, përshtypje, sekuenca me metrazh të gjatë të jetës sonë. Bëhet fjalë për vende që nuk i zbulojmë, por që janë aty, brenda nesh. Dhe në momente si ky që po jetojmë, mendja jonë mund të rikthehet të bëjë një udhëtim te malet e eksploruara dhjetë vjet më parë, apo në kohën e kaluar me miqtë pesëmbëdhjetë vite më parë, te aroma e pjatës që na përgatiste gjyshja kur ishim fëmijë. Në mendjen tonë ekziston filmi më i gjatë në botë, duhet ta zbulojmë.

A mund te ketë inteligjencë emocionale pa afërsi fizike?

Afërsia fizike dhe kontakti sigurisht që janë të rëndësishme. E dinë mirë prindërit: kur një i sapolindur qan, nuk ka nevojë për leksione filozofie, por duhet ta marrësh në krahë dhe ta shtrëngosh në gji. Kjo u ndodh edhe të rriturve. Kur jemi të trishtuar, ndonjëherë, kemi nevojë thjesht për një përqafim. Por edhe nëse fjalët dhe idetë mund të na ngushëllojnë, edhe një libër mund të jetë miku ynë. Një pesonazh që ka jetuar në vitin 1300 ose që jeton në anën tjetër të botës mund të kthehet në dikë që është i rëndësishëm për ne. Ajo që e bën të trishtuar njeriun është ndjesia e “shkëputjes” nga të tjerët, por ndërtimi i afërsisë është i mundur përtej kontaktit fizik. Imagjinatë, inteligjencë, marrëdhënie me librat, filma dhe vepra të tjera arti.

A mund të na ndihmojnë rrjete sociale të shmangim rrezikun e apatisë?

Prej kohësh njeriu zhvillon teknologji në funksion të komunikimit: përpara rrjeteve sociale kemi pasur telefonin, më përpara telegramin, e më përpara letrën. Përmes këtyre mjeteve qenia njerëzore tenton t’i afrohet atyre që janë fizikisht larg. Duhet të kemi parasysh se çdo teknologji favorizon disa aspekte në kurriz të të tjerave: për shembull gjatë një lidhjeje në Skype nuk arrijmë të ndjejmë aromat, nuk mund të ndjekim me thellësi fjalët e bashkëbiseduesit tonë. Rrjetet sociale na ndihmojnë të rizbulojmë marrëdhëniet në një mënyrë tjetër, edhe në këto kohë të vështira.

Po filozofia si na ndihmon?

Mendoj për filozofët antikë të cilët teksa flisnin për vështirësitë e botës, thoshin se vetëm duke parë në fytyrë frikën dhe duke u miqësuar me të, mund të ecësh përpara. Edhe në situatat më të errëta. Veçanërisht stoikët besonin se rruga e duhur ishte të mendoje për hipotezën më të keqe: duke vepruar në këtë mënyrë, patjetër do të ndodhë diçka, prandaj mos u kapni në befasi. Mbi vështirësitë e izolimit, më vjen në mendje një fragment nga Blaise Pascal: “Kam zbuluar se e gjithë mungesa e lumturisë së njerëzve vjen vetëm nga diçka: nga padija për të qëndruar të qetë në një dhomë”. Pikërisht për shkak të kësaj vështirësie, nëse mësoni të përballeni me izolimin, kur dera të rihapet do të keni mundësi të përballeni me shumë gjëra.

Alain de Botton është shkrimtar, filozof dhe prezantues televiziv. Ka themeluar “The school of life”. Ka shkruar mbi 15 romane dhe studime. Intervista u shqipërua nga Erjon Uka.