Karantina Blog

“Çfarë quhet tani normale?”, Olga Tokarczuk: Po bëjmë zbulime të hidhura

“Çfarë quhet tani normale?”, Olga Tokarczuk: Po

Olga Tokarczuk, në një intervistë një vit e gjysmë më parë, thatë se bota kishte nevojë për një ndalesë. Keni thënë: “Duhet të ndodhë diçka”.

Kisha ndër mend atë që shumë prej nesh ndjenin: thellë-thellë e dinim se po ecnim në një rrugë qorre dhe diçka do të ndodhte. Por mendoj se shumica e njerëzve as nuk e kishin çuar nëpër mend se një pandemi do të ndalonte dhe do të paralizonte botën. Treguam edhe mungesë imagjinate, për të kuptuar se kjo botë e lëvizshme, globale, plot me njerëz nuk mund të funksiononte kështu pafundësisht bazuar në parimet e vjetra.

Jeni përshtatur me këtë situatë mbyllje, izolimi?

Epidemia filloi kur po bëhesha gati për një udhëtim të gjatë për promovimin e librave të mi. Do të duhej të udhëtoja për më shumë se një muaj dhe të kthehesha përpara Pashkës. Madje kisha bërë gati valixhet, kur mora vesh se duhej të anuloja udhëtimin. Në një farë mënyre e pranova e lehtësuar këtë fakt. Kohët e fundit jeta ime u përshpejtua, ndodhnin shumë gjera dhe me të vërtetë që ndihesha e lodhur. Jam mësuar me punën në shtëpi, aq sa bashkëshorti im tallet duke thënë se jetojmë në një zyrë me mundësi fjetje. Pas javës së parë të pushimeve dhe leximeve, nisa të punoja. Gjynah, ndoshta duhet ta kisha përballuar këtë kohë në një mënyrë tjetër, si në fëmijëri, ku mund të mërziteshe duke ndenjur ose kur kishe më shumë kohë për të gjitha. Por mesa duket, duhet patjetër të bëj diçka.

A do të na shërbejë për ndonjë gjë kjo kohë që po jetojmë?

Nëse do të kërkoja një metaforë për atë që po përjetojmë tani, do të thoja se i jemi nënshtruar një provimi. Diçka po na teston. Nuk di nëse bëhet fjalë për fatin, djallin, natyrën, Zotin apo rastësinë. Po na teston në plane të ndryshme. Thotë: “Po kontrolloj!” Në planin individual po zbulojmë ato nevoja që i kishim harruar tashmë: paqen, shkëputjen, reflektitimin dhe mërzinë. Duke qëndruar të mbyllur në shtëpi, mund të shohim me kujdes veten dhe limitet që kemi. Ku është pika jonë e dobët, sa mund të durojmë, ku është epiqendra jonë? Në ç’përmasa po e jetojmë vërtetë jetën? A jam realisht unë, apo bëhet fjalë për disa sjellje dhe zakone të imponuara? Kjo kohë është një test për ne dhe për të dashurit tanë. Mund të zbulohet se, ndryshe nga lëvdatat dhe deklaratat, familja nuk është aspak gjëja më e rëndësishme dhe më e bukur, që ndoshta qëndrimi me një person gjatë gjithë ditës pa ndërprerje është i padurueshëm, ndoshta fëmijët na irritojnë, ndoshta puna është diçka e nevojshme, ndërsa në jetën e përditshme e urrejmë. Me shumë mundësi do të bëjmë plot nga këto zbulime të hidhura. Por jam e sigurt se kjo mbyllje do të jetë e padurueshme për njerëzit që janë shumë të ndjeshëm ose ata me probleme psikologjike.

Tashmë është e qartë, jo vetëm prej shembullit hungarez, se pandemia mund të jetë preteksti perfekt për konsolidimin e pushtetit nga ana e qeverive.

Situata të tilla janë joshëse për satrapët e të gjitha kategorive. Por nuk mund të kapërdihet ajo që ndodhi në vitet ’30 të shekullit të shkuar. Ajo periudhë është magjepsëse për goxha njerëz për arsye të ndryshme, shihet edhe në botën e modës, në dizajne. Por gjithsesi bëhet fjalë për një gjë të ndryshme, sepse këtu veprojnë variabla të tjerë, si për shembull kriza klimatike. Interneti na shndërroi në një shoqëri të re, ku njerëzit flasin pa pushim. Shumë gjëra ndodhin për herë të parë. Ndoshta shumë njerëz kanë harruar se përpara shpërthimit të pandemisë, Greta Thunberg u bëri apel të gjithë liderëve të botës, por edhe ne njerëzve të thjeshtë, për të reduktuar konsumin, për të mos fluturuar kaq shpesh me avion thjesht për të parë Xhokondën. Fjalët e saj shiheshin me një ndjenjë keqardhjeje nga njerëz të sipërmarrjes dhe politikanë. Por papritur u pa se veprimet radikale qenkan të mundshme, madje janë të nevojshme, si për shembull kjo mbyllje që po përjetojmë. Mendoj se do bëhemi më radikalë dhe do të kërkojmë për zgjidhje më radikale. Ndryshimi është gjithmonë i mundshëm, nuk jemi të detyruar të jetojmë në dëshpërim dhe pafuqi.

Në artikullin e publikuar nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ju keni shkruar se “po vijnë kohë të reja” dhe mbi Bashkimin Europian se “në këtë moment të vështirë u pa se sa e dobët është praktikisht ideja e komunitetit”.

Kur flas për Bashkim, para së gjithash kam në mendje idenë e komunitetit në këtë gadishull të vogël të quajtur Europë. Është e banuar nga kultura të ndryshme, që flasin gjuhë të ndryshme dhe që kanë histori herë të përbashkët, e herë të ndryshme. Këto etni kanë formuar shtete të pavarura në shekullin XIX. Por sërish arritën të bashkoheshin, të hapnin kufijtë, t’u lejonin njerëzve të takoheshin e të qëndronin së bashku. Kjo është Europa ime, e ndjej timen jo më pak se Poloninë. Ndër zhgënjimet më të mëdha të javëve të fundit është mbyllja e kufijve. Reagimi i parë që u bë, ishte kundër komunitetit. Një regres në të shkuarën dhe në iluzionin e sigurisë. Brenda një dite, kufijtë u rikthyen sërish. Habitem se si ky rregull i vjetër kombëtar rri nën sipërfaqe, dhe shfaqet kaq lehtë. Kam frikë për një situatë në të cilën gjithçka që kemi ndërtuar në këto vite mund të shkërmoqet. I frikësohem edhe ksenofobisë që rritet bashkë me virusin.

Kur do të kthehet në normalitet bota që njohim? A do të arrijë dot?

Duhet të ripërkufizojmë fjalën “normalitet”. Druhem se rikthimi në atë që ka qenë përpara nuk do të jetë i mundur. Botën para epidemisë do ta mbajmë mend si një epokë të kaluar.

*Olga Tokarczuk është shkrimtare polake. Në vitin 2018 ajo fitoi çmimin “Man Booker International Prize”, ndërsa në vitin 2019 u nderua me çmimin Nobel në letërsi. Intervista u shqipërua nga Erjon Uka.