Kosova

Albin Kurti shpall fitoren e zgjedhjeve në Kosovë

Albin Kurti shpall fitoren e zgjedhjeve në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu drejtua mbështetësve në Prishtinë pak para mesnatës, duke e konsideruar rezultatin e zgjedhjeve si një tjetër sukses për forcën politike që drejton.

Në fjalën e tij, Kurti u shpreh se kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare gjatë shtatë viteve të fundit, duke rikujtuar rezultatet e viteve 2019, 2021, dy proceseve zgjedhore të vitit 2025 dhe zgjedhjeve të këtij viti.

Ai vlerësoi mbështetjen e qytetarëve dhe tha se rezultati i arritur është një dëshmi e besimit që, sipas tij, qytetarët vazhdojnë t’i japin Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisjes së saj.

Kurti theksoi se partia do të vijojë të qeverisë me përgjegjësi dhe në frymë demokratike, duke nënvizuar rëndësinë e kombinimit të sigurisë së shtetit me mirëqenien e qytetarëve.

“Ne bëjmë bashkë sigurinë e shtetit dhe kufijve me mirëqenien e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, deklaroi ai, duke përsëritur sloganin e partisë.

Më tej, Kurti tha se qytetarët te Vetëvendosje shohin garanci për qeverisje të mirë dhe shtoi se forca që ai drejton është e gatshme të vazhdojë punën, ndryshe nga partitë opozitare. Ai kërkoi gjithashtu që legjislatura e 11-të të nisë sa më shpejt dhe paralajmëroi zhvillimin e takimeve dhe konsultimeve me të gjitha subjektet politike në ditët e ardhshme.