Borell i përgjigjet me letër Kurtit: Hapni rrugën për Zgjedhjet e reja dhe ju thërras në takim me Vuçiç

Josep Borrell, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ku kërkon shtensionim të situatës në veri.
Letra është një përgjigje e planit me pesë pika që Kurti i dërgoi disa ditë më parë.
“Siç e dini, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin Vuçiq, me parakushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja. Nuk mund të kemi përparim në normalizimin e raporteve, përderisa ne merremi me menaxhimin e krizave. Të 27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-ja, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëviz përpara. Prandaj, shtensionimi i situatës kërkohet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”, ka thënë Borrell në letrën që i dërgoi Kurtit.

Borell ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të mos punojnë nga zyrat në objektet komunale, tërheqjen e policisë nga afërsia e këtyre ndërtesave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.
"Paralelisht, ne po i kërkojmë Serbisë që ta mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, ka shkruar Borrell.
“Vëmë re me keqardhje se nuk ishte rasti me operacionin e djeshëm në Mitrovicën e Veriut, prandaj çdo masë e ardhshme për sundimin e ligjit në veri të Kosovës do të duhej të diskutohej dhe të vlerësohej individualisht së bashku me EULEX dhe KFOR”, ka deklaruar ai.
Në fund të deklaratës, Borrell shkruan se dështimi për t’i zvogëluar tensionet do të sjellë pasoja negative dhe se 27 shtetet anëtare të BE-së janë informuar për masat e nevojshme. Ai ka paralajmëruar se këto masat do të komunikohen publikisht.