Kosova

Dyqanet në veri të Kosovës për herë të parë pa produkte serbe

Dyqanet në veri të Kosovës për herë të parë

Për herë të parë në periudhën e pasluftës, në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, pothuajse nuk ka produkte nga Serbia. Mungesë e këtyre produkteve vërehet edhe në komunat tjera të Kosovës. Këtë e dëshmojnë qytetarët dhe bizneset, ndërkaq kjo mund të konstatohet edhe nga raftet e dyqaneve, ku janë të renditura kryesisht produkte nga vendet e rajonit.

Një prej biznesmenëve nga Mitrovica e Veriut, i cili këmbënguli të mbetet anonim, shpjegon se qumështi “Imlek” nga Serbia është zëvendësuar me “Bimilk” nga Maqedonia e Veriut dhe në vend të ushqimit të ngrirë “Frikom”, po ashtu nga Serbia, shitet “Ledo” nga Kroacia.

Mungesa e produkteve serbe në veri të Kosovës është pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës më 14 qershor për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. Ky vendim pasoi arrestimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, për të cilët autoritetet në Prishtinë thanë se “u rrëmbyen”. Siç ishte paralajmëruar, një vendim i tillë është marrë për arsye sigurie dhe jo ekonomike dhe nuk dihet se sa do të qëndrojë në fuqi.

Prodhimet serbe përballë bojkotit në Kosovë

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës marrin vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, apo vendosjen e taksave për to, por deri më tani janë përdorur të ashtuquajturat “rrugë alternative” në veri të Kosovës për import.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën, gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar disa aksione kundër kontrabandës me mallra, ndërsa “rrugët alternative” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë nën kontroll të rreptë të Policisë së Kosovës.

Rasti i fundit ishte javën e kaluar në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit, kur Policia e Kosovës ndaloi një automjet me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte një shtetas serb.

Si është situata në komuna tjera?

Në mjediset e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, mungesa e produkteve nga Serbia është e dukshme. Shumica e pronarëve të dyqaneve në Graçanicë, një komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, mallrat nga Serbia i kanë siguruar në Mitrovicën e Veriut.

Të dhënat nga muaji qershor i këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë rënie të importit të produkteve të Serbisë.

Tregu i Serbisë në Kosovë zvogëlohet rreth 37%

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në qershorin e vitit 2022, Kosova ka importuar produkte nga Serbia në vlerë prej 33 milionë e 757 mijë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2023, importet nga Serbia janë 13 milionë e 255 mijë euro.

“Vendimi i Prishtinës zyrtare që pamundëson hyrjen e produkteve finale në tregun e Kosovës, vazhdon ende”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Kjo masë, sipas tij, nuk vlen për lëndën e parë dhe gjysmëproduktet./REL