Kosova pranohet si anëtare në Komitetin Ekonomik dhe Social të BE-së

Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) është bërë institucioni i parë i Bashkimit Evropian që do të përfshijë anëtarë nga Kosova.
Në njoftimin zyrtar, ky institucion këshillimor i BE-së fton organizatat e shoqërisë civile kosovare të aplikojnë për anëtarësim deri më 24 tetor, në kuadër të Nismës për Shtetet Kandidate për Zgjerim (ECMc), e nisur në vitin 2023.
“Me këtë nismë synojmë të fuqizojmë projektet që nxisin dialogun social dhe qytetar, duke rritur përfshirjen dhe bashkëpunimin brenda komuniteteve të Kosovës”, thuhet në thirrjen e publikuar në faqen zyrtare të EESC-së.
Në shkurt të vitit 2024, EESC u bë institucioni i parë i BE-së që pranoi anëtarë nga vendet kandidate për anëtarësim, ndër to Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Serbia, Turqia dhe Ukraina.
Në atë periudhë, Kosova nuk u përfshi, pasi ende nuk gëzon statusin e vendit kandidat, duke mbetur e vetmja në Ballkanin Perëndimor me këtë status.
Megjithatë, në një përgjigje për gazetën Koha, Komiteti bëri të ditur se është vendosur që faza e dytë e nismës të zgjerohet edhe për Kosovën si kandidate potenciale, në mënyrë që ajo të përfitojë nga procesi i përfshirjes graduale në strukturat e BE-së.
EESC-ja, e themeluar në vitin 1957 në bazë të Traktatit të Romës, është pjesë përbërëse e institucioneve të Bashkimit Evropian. Roli i saj është të këshillojë vendimmarrësit evropianë dhe të sigurojë që zëri i shoqërisë civile të dëgjohet në hartimin e politikave dhe legjislacionit të BE-së.
Anëtarët e saj 329 përfaqësues nga 27 shtetet anëtare vijnë nga fusha të ndryshme: sindikata, industri, dhoma tregtie, ndërmarrje të vogla e të mesme, organizata të konsumatorëve, fermerë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut. Vetëm përfaqësuesit nga vendet e BE-së kanë të drejtë vote.
Komiteti është i ndarë në tre grupe kryesore: të Punëdhënësve, të Punëtorëve dhe të Organizatave të Shoqërisë Civile.
Selia e tij ndodhet në Bruksel dhe qëllimi kryesor, siç theksohet në faqen e tij zyrtare, është të bëjë procesin e vendimmarrjes në BE më demokratik, më efikas dhe më pranë nevojave të qytetarëve evropianë.
Kujtojmë se Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, por aplikimi i saj ende nuk është shqyrtuar nga Këshilli i BE-së, për t’u kaluar më pas për opinion në Komisionin Evropian.