KQZ shpall rezultatet preliminare të zgjedhjeve, Vetëvendosja rreth 50% të votave, 21% i merr PDK

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar vendin e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në 24 komuna të Republikës së Kosovës. Fitorja e saj shtrihet në një numër të madh qendrash urbane dhe rurale, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Ferizajn, Gjilanin, Gjakovën, Mitrovicën, Podujevën, Vushtrrinë, Fushë Kosovën, Suharekën, Rahovecin, Lipjanin, Klinën, Malishevën, Shtimen, Istogun, Dragashin, Obiliqin, Vitinë, Kaçanikun, Kamenicën, Hanin e Elezit dhe Junikun.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LVV nuk ka arritur të dalë forcë e parë vetëm në Skenderaj, Drenas dhe Deçan, ndërsa në të gjitha komunat e tjera me shumicë shqiptare ka kryesuar garën elektorale ndaj partive rivale.
Në anën tjetër, Lista Serbe ka ruajtur epërsinë në të gjitha komunat me shumicë serbe, duke konfirmuar dominimin e saj tradicional në këto zona.
Rezultatet paraprake tregojnë një mbështetje të gjerë për Lëvizjen Vetëvendosje në nivel vendi, ndërsa konfirmimi zyrtar i rezultateve pritet pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore nga KQZ-ja.