Kosova

Kurti për letrën e politikanëve amerikanë e europianë: I shërben uljes së tensioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përshëndeti letrën e dhjetëra politikanëve amerikanë e europianë drejtuar zyrtarëve në Bruksel, Uashington dhe Londër, përmes së cilës u kërkua ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës këtë të mërkurë, Kurti tha se nënshkruesit e letrës shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për rajonin.

“Ne u jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrjeje të përbashkët, e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e përforcon përkushtimin tonë për shtensionim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri”.

Ishte deputetja britanike Alicia Kearns, ajo e cila publikoi letrën e nënshkruar nga 56 deputetë dhe dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme, mes tyre edhe ai i Ukrainës.