Kurti viziton familjet e tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar sot familjarët e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer dje nga forcat serbe në kufi me Serbinë, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa.
Në Mitrovicë ai u mirëprit nga familjarët e Shemë Mustafës, përfshirë të vëllanë e tij, po ashtu polic kufitar. “Familjarët vlerësuan përkrahjen nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga populli, që po ua lehtëson barrën”, thuhet në njoftim.
Në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, Kurti u prit nga familjarët e Beqir Sefës, mes të cilëve ishte dhe djali i tij, që po ashtu është pjesëtar i Policisë së Kosovës në Prishtinë dhe i angazhuar në Task Forcën në veri.
“Kryeministri i njoftoi familjarët se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është në kontakt me institucionet atje, në përpjekje për të marrë sa më parë dhe sa më shumë informacione për gjendjen e policëve të rrëmbyer”, vijon njoftimi.
Në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, Kurti vazhdoi me vizitën te familja e Rifat Zekës. Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin me familjen.
“Kryeministri ritheksoi se Republika e Kosovës është në të drejtën e saj dhe se dëshmitë që posedojnë institucionet e vendit dokumentojnë se zyrtarët e Policisë së Kosovës ishin brenda territorit të Republikës. Policët ishin në nivel detyre, në luftim të kontrabandës, në atë pjesë ku më herët janë mbyllur 16 rrugë ilegale. Familjarët u shprehën falënderues për vizitën dhe kujdesin e treguar, dhe theksuan besimin e plotë në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet po ashtu në njoftim.