Serbët bllokojnë rrugët në veri të Kosovës, zgjedhjet shtyhen për në Prill të 2023
Vijojnë tensionet në Veri të Kosovës. Në Rudarë, afër Zveçanit serbët lokalë janë mbledhur dhe po protestojnë raporton REL. Aty janë parë edhe burra të maskuar.
Katër kamionë dhe tetë automjete të ambulancës janë vendosur për të bllokuar rrugën.
Protesta vjen pas arrestimit të ish policit serb, Dejan Pantiç.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviq, ka deklaruar se në Jarinjë sot është arrestuar Dejan Pantiq, ish pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Arsyeja e arrestimit nuk është bërë ende e ditur.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se janë shtyrë zgjedhjet në veri për në prill të vitit 2023. Osmani e bëri këtë deklaratë pas një takimi me partitë politike.
“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha ajo një konferencë për media pas takimit.