Kosova

Shtensionimi i situatës në veri dhe 4 hapat që afruan Kosovën me kërkesat e BE

Shtensionimi i situatës në veri dhe 4 hapat që afruan

Qeveria e Kosovës deklaroi mbrëmë se do të zvogëlojë praninë e forcave policore në Veri, si dhe do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.

Në një njoftim për mediat, qeveria e Kosovës tha se pas takimit nё Bratisllavё ndërmjet zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Europian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është rënë dakord për katër pika.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklaratë për mediat sot ka sqaruar se pajtimi i arritur në Bratislavë për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri të vendit do të rikthejë barazinë në tryezën e bisedimeve me Serbinë, që sipas tij është cenuar nga vendosja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Kosovës.

“Për ne si qeveri e Kosovës ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Republikës kudo që ata janë, pa dallim të kenë përfaqësim lokal që i përfaqëson siç duhet. Por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale dhe që garanton paprekshmërinë e votës. Në këtë kontekst duhet të interpretohet edhe rëndësia që qeveria jonë i jep sundimit të ligjit në secilën pjesë të vendit”, tha kryeministri Kurti.

Por për presidentin serb Aleksandar Vuçiç, njoftimet për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës duken si një lojë e perëndimit. “Shtensionim është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje?! Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë”, tha Vuçiç.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell përshëndeti sot Kosovën dhe pret hapa të mëtejshëm pozitivë në këtë drejtim.

“E mirëpres përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes që arritëm në hapat e parë për deskalim. Presim që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me palët”, shkruan ai.

Javën e ardhshme kryenegociatorёt e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.

Pikat e dakordësuara:

-Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

-Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

-Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

-BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.