Takimi Kurti- Escobar- Lajçak/ Tri kërkesat e ndërkombëtarëve për normalizimin e situatës në Veri të Kosovës
Ka zgjatur gati tri orë takimi i mbrëmshëm, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të dërguarit amerikan, Gabriel Escobar dhe atij të BE-së, Miroslav Lajçak.
Në fokus ishte situata në Veri të Kosovës.
Pas takimit, i dërguari i BE-së prezantoi tri kërkesat ndaj Kurtit:
-Qetësimin e situatës në veri të Kosovës
-Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
-Rikthimin në dialog
Kurse Escobar tha:
“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit trans-atlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”.
Ndërkaq, në njoftimin e Kryeministrisë shkruhet se në takim u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit dhe ide për de-eskalim të situatës në veri.
“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj”, shkruhet në njoftim.
Takimet vijojnë edhe sot. Lajçak dhe Escobar do të takohen me Vjosa Osmanin.