Kronikë e zezë

55-vjeçari që vrau gruan në Maliq vetëvritet pasi rrethohet nga policia

55-vjeçari që vrau gruan në Maliq vetëvritet pasi

Pasi vrau bashkëshorten, Gjergji Mullalli është vetëvrarë. Pas krimit makabër, 55-vjeçari ishte fshehur në një shtëpi të braktisur në të njëjtin fshat ku ndodhi vrasja, Zëmblak. Sapo ka kuptuar se është rrethuar nga efektivët e policisë ka hapur zjarr ndaj tyre. Më pas ka vendosur të vritej me të njëjtën armë zjarri që ekzekutoi dhe gruan e tij, me të cilën së bashku kishin 3 fëmijë.

“Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi.

Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë.

Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t'u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje”, njofton policia.