25 Rreshtat e Mirës

E ka fajin mami? E ka mësuesja? Pyetja ime ështe tjetër…

Nga Mira Kazhani/

Nuk jemi rrahur me shoqet në fëmijërinë tonë. Jo sepse ishim më të mira se fëmijët e sotëm, por sepse bota jonë ishte shumë më e vogël. Kishim vetëm njëri-tjetrin.

Fëmijët e sotëm nuk kanë vetëm shokët e klasës. Kanë TikTok-un, Instagram-in, Snapchat-in dhe një univers paralel ku prindërit janë pothuajse emigrantë. Ata flasin me kode, me akronime, me një gjuhë që ne nuk e njohim. Edhe sikur t’ua kesh kodin e telefonit, nuk ua kupton domethënien e bisedave.

Kush ka parë serialin britanik Adolescence e kupton se një fëmijë nuk është domosdoshmërisht i sigurt as kur ndodhet në dhomën e tij. Ti mendon se është pranë teje. Në të vërtetë, ai mund të jetë në një botë ku ti nuk ke asnjë kontroll.

Prandaj pyetja nuk është vetëm pse ndodhi ajo që ndodhi në Fier. Apo pse humbi jetën Martin Canaj. Pyetja është: çfarë po prodhojmë si shoqëri që fëmijët tanë po mësojnë se dhuna është mënyra për të fituar respekt, vëmendje apo pushtet?

Është e lehtë të drejtojmë gishtin nga shkolla. Sigurisht që oborret, korridoret dhe klasat duhen parë me shumë kujdes. Por mësuesit nuk mund të mbajnë mbi supe barrën morale të një brezi të tërë.

Sepse edukimi nuk ndodh vetëm në klasë.

Ai ndodh në ekran.

Në Parlament, ku prej vitesh dëgjohet një gjuhë që nuk njeh kundërshtar, por vetëm armik.

Në televizion, ku dhuna është kthyer në spektakël.

Në rrjetet sociale, ku linçimi shpërblehet me klikime, ndërsa poshtërimi i tjetrit sjell famë.

Në TikTok, ku idhuj bëhen ata që shajnë më fort, ofendojnë më shumë dhe grumbullojnë më shumë shikime.

Çfarë pret të mësojë një adoleshent kur ky është modeli që i ofrojmë çdo ditë?

Një fëmijë që rritet mes konflikteve familjare, gjuhës së urrejtjes në politikë, agresivitetit në media dhe brutalitetit në internet nuk ka nevojë që dikush t’i mësojë dhunën. Ai e sheh atë të shpërblyer çdo ditë.

Prandaj kjo nuk është vetëm histori prindërish. As vetëm histori mësuesish. Është historia e një shoqërie që prej kohësh ka normalizuar dhunën dhe tani habitet kur ajo shfaqet në duart e fëmijëve.

Në këtë panoramë, protesta e Flamingove ishte një përjashtim i bukur. Një protestë pa dhunë, pa urrejtje, pa vandalizëm. Dhe megjithatë, që ditën e parë u bullizua nga politika. Më pas, sapo ndodhën dy-tre eskalime pas javësh të tëra protestash paqësore, po e njëjta politikë nxitoi të shpallte se “protesta që nisi e bukur na u bë e dhunshme”.
Hipokrizia është forma më elegante e dhunës.
Sepse në Shqipëri shpesh moralin na e japin ata që prodhojnë çdo ditë urrejtje.

Dhuna nuk fillon me grushtin. Ajo fillon me fjalën. Me përçmimin. Me poshtërimin. Me shembullin që u japim fëmijëve tanë.

Dhe kur një brez rritet duke parë se ai që ulëret fiton, ai që fyen bëhet i famshëm dhe ai që linçon shpërblehet me vëmendje, nuk duhet të habitemi kur dhuna zbret nga ekrani në oborrin e shkollës.

Nje shembull të ditës: Shqiptarët nuk u bënë me Flamingot vetëm sepse mbronin natyrën.
U solidarizuan sepse, ndoshta për herë të parë pas shumë kohësh, panë një mënyrë tjetër për të qenë qytetarë.

Pa ulërima.

Pa urrejtje.

Pa dhunë.

Dhe kuptuam se ndoshta revolucioni më i madh që na duhet sot është kulturor. Nëse ndryshon kjo, çdo politikë, qeveri, do jetë më me këmbë në tokë!