Dy gratë e vrara në Kosovë brenda pesë ditësh dhe a e zgjidh dita e zisë vrasjen në familje
Një grua u vra sot në Pejë nga bashkëshorti i saj dhe ky është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Kosovë. Mëngjesin e sotëm Gjyljeta Ukella, nënë e tre fëmijëve u qëllua dy herë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj Edmond Lajçi, në kokë. Ata ndodheshin në shtëpi, ndërsa ende nuk dihet se ku ndodheshin 3 fëmijët dhe cili ishte motivi i ngjarjes. Gjyljeta Ukella punonte prej dy dekada si asistente në stomatologji. Sipas kolegëve, ajo ishte një grua shumë punëtore dhe e urtë. Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në Ferizaj para pesë ditësh, kur Valon Aliu vrau ish-bashkëshorten e tij Erona Cokli, shkak u bë kujdestaria e fëmijës.
Presidentja Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën e 17 prillit ditë zie.
“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona!” shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.
Por a e zgjidh dita e zisë, fatkeqësinë vrasjeve të grave në familje.
Nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë 57 gra, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës.
Kujtojmë gjithashtu ngjarjen e rëndë që ndodhi në dhjetor në Prishtinë, ku Naim Murseli pagoi vrasës me pagesë për të ekzekutuar bashkëshorten e tij, Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve. Ai pranoi krimin dhe tregoi para gjykatës se kishte inskenuar vjedhjen në makinë për të vrarë bashkëshorten.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, tha sot se ka thirrur një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, kryeprokurorin dhe drejtorin e Policisë së Kosovës për të trajtuar çështjen e vrasjes së grave.