Kronikë e zezë

Efektivi që vrau Klodian Rashën u përlesh dhe i qëlloi kur ra në tokë. Dëshmia e kolegut që vë në pikëpyetje kronologjinë e ngjarjes

Efektivi që vrau Klodian Rashën u përlesh dhe i qëlloi kur

Zbardhen të tjera detaje lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, ndërsa është mësuar edhe dëshmia e kolegut të efektivit të Shqiponjave. Sipas kolegut të këtij të fundit, ka pasur përleshje fizike mes viktimës dhe autorit. Ndërkohë që Nevaldo Hajdaraj në dëshminë e tij nuk pohoi në asnjë moment të ketë pasur përplasje fizike.

Kolegu E. Gj. ka thënë se në momentin e përleshjes efektivi i Shqiponjave ka rënë në tokë dhe në atë moment ka qëlluar dy herë mbi Klodian Rashën.

“Vetëm autori nuk pranon se ka pasur përplasje fizike me Klodian Rashës, ndërsa kolegu i tij e përgënjeshtron këtë. Në një moment, thotë ai, Klodian Rasha dhe efektivi janë përleshur fizikisht, ndërsa shton se vetë ka qenë në disntancë 100 metra. Sipas tij, kolegu ka rënë në tokë dhe në atë moment ka qëlluar dy herë ndaj të riut. Unë kam qenë mbrëmë te familja e Klodian Rashës dhe më thanë se ai kishte shenja në fytyrë. Në fakt ata kishin dhe foto të Klodianit pas vdekjes. Gjithashtu, familja Rasha pretendon se djali i tyre është qëlluar me dy plumba, ndërsa në dosje thuhet se njëri plumb e ka kapur në shpatull, kurse plaga në kokë është një plumb që e ka kapur shkarazi. Autori pretendon se e përdori armën pasi kishte frikë se Klodian Rasha ishte i armatosur, por ky i fundit nuk ka pasur armë. Familja Rasha ka dyshime të forta se policia ka tentuar të manipulojë ngjarjen”, tha gazetarja Klodiana Lala në “News 24”.